Spiunët e BIA-së? – Kush është Fatmir Sheholli e 6 të tjerë të cilët po përballen me drejtësinë nën akuza për spiunazh

Siguria e Kosovës po rrezikohet nga raste spiunazhi të lidhura me shërbimet sekrete serbe. Vetëm për një vit janë arrestuar gjashtë persona të dyshuar për spiunazh, ku AKI-ja, në gjithë këto arrestime kishte rolin kryesor.

Mirëpo nga gjashtë, ky numër sot u ndryshua kjo pasi u arrestua edhe një tjetër person, nën të njëjtin dyshim. U arrestua Fatmir Sheholli.

Sheholli, person që kohë pas kohe ka pasur paraqitje në media si analist i sigurisë, sot u arrestua nga Policia e Kosovës në bashkëpunim të ngushtë me Agjencinë Kosovare të Inteligjencës (AKI) dhe Prokurorinë, arrestimi i tij u bë me dyshimet e bazuara për përfshirje në spiunazh.

“Me aktvendim të Prokurorisë Speciale, i dyshuari është ndaluar për 48 orë, dhe nga njësitet relevante të Policisë së Kosovës janë duke u kryer bastisje në vendbanimin e të dyshuarit, me qëllim të sigurimit edhe të provave të tjera materiale. Prokuroria Speciale e Kosovës, në bashkëpunim dhe koordinim me Policinë e Kosovës, është duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, në përputhje me Kodin e Procedurës Penale dhe ligjet në fuqi, për të cilat publiku do të njoftohet në kohë”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Speciale.

Po ashtu për arrestimin e tij njoftoi edhe ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

“Individë si ky që kanë pasur hapësira mediatike të pakufizuara në vendin tonë ka bashkëpunuar me akterë që çdo ditë punojnë e veprojnë për të minuar Republikën tonë dhe progresin e saj. Mbesim të përkushtuar të mbrojmë vendin tonë nga të gjitha qarqet që nuk hezitojnë ta rrezikojnë atë për çfarëdo përfitimi të tyre. Koha e spiunëve të Serbisë në Kosovë ka përfunduar. Kushdo që punon për Serbinë e kundër Kosovës do të ndiqet pa kompromis e pandalshëm. Republika duhet mbrojtur me përgjegjësinë më të lartë institucionale dhe morale”, ka shkruar Sveçla.

Por kush janë gjashtë të arrestuarit e tjerë?

Në maj të vitit të kaluar, janë arrestuar Bedri Shabani dhe Muharrem Qerimi. Ata dyshohen si bashkëpunëtorë të BIA-s së Serbisë, me qëllim kryesor shtrembërimin e fakteve historike – kundër Kosovës dhe NATO-s, si dhe të angazhuar edhe për mbledhjen e informacioneve.

E dhjetë muaj më parë ishte arrestuar edhe ish-pjesëtari i Policisë së Kosovës, Aleksander Vlajiq, në Mitrovicë.

Ai dyshohet si agjent rezident. Kurse, Jelena Gjukanoviq, bashkëpunëtore e BIA-s së Serbisë, të cilët kishin qëllim kryesor rezistencën e armatosur në veri.

Cili ishte qëllimi i tyre?

Ata kishin qëllim mbledhjen e informacioneve dhe ndikimin në organizata ndërkombëtare.

“Nga data e pacaktuar e në vazhdimësi, deri në momentin e arrestimit të saj, me datë 28.02.2025, në cilësinë e zyrtares vendore të Misionit të OSBE-së në Kosovë, pranë Zyrës Rajonale në Mitrovicë, në pozitën ‘Zyrtare e Programit Kombëtar në Zyrën Rajonale në Mitrovicë’, me vetëdije të plotë dhe me dashje direkte ka kryer veprime të përsëritura që përbëjnë ndihmë aktive për veprimtarinë informative të një shërbimi të huaj, konkretisht të Agjencisë për Inteligjencë dhe Siguri të Republikës së Serbisë (e njohur si BIA), duke i ofruar të dhëna, dokumente dhe informacione të ndjeshme, të siguruara gjatë ushtrimit të detyrës së saj zyrtare në kuadër të aktivitetit të Misionit të OSBE-së, ndihmë kjo e realizuar përmes komunikimeve të shumta me tani të dënuarin për veprën penale të spiunazhit, Agjentit Rezident të BIA-së, Aleksandër Vllaiq”, thuhet në dosjet e prokurorisë.

Po ashtu një arrestim tjetër ndodhi, kur më 6 maj, për spiunazh u arrestua edhe Hysri Selimi, bashkëpunëtor i BIA-s së Serbisë.

Ai kishte qëllim rritjen e radikalizmit islam në Kosovë dhe mbledhjen e informacioneve.

Prokuroria kishte bërë hetime disa mujore për të dyshuarin dhe veprën penale “Spiunazhi”.

Pas arrestimit të Selimit ishin kryer bastisje edhe në dy lokacione dhe ishin konfiskuar prova materiale, përfshirë edhe disa telefona që dyshohet se ishin përdorur për kryerjen e veprës penale.

Hetimet nuk ndaluan ku në korrik të këtij viti, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës në bashkëpunim me Inspektoratin Policor të Kosovës dhe Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë, njoftuan se u arrestua togeri policor Bojan Jevtiç nën dyshimin për spiunazh.

Jevtiç ka qenë i angazhuar në pozitën e shefit të operativës në policinë kufitare në pikë kalimin kufitar “ Dheu i Bardhë”.

Madje Policia e Kosovës në gusht të këtij viti kreu bastisje edhe në shtëpinë e serbes Ana Murganiq, e cila së bashku me të dashurin e saj, J.I, pjesëtar i forcave ajrore kroate, u arrestuan në Kroaci nën akuza për spiunazh për Serbinë. Ku sipas medias kroate, “Index”, J.I., që në Kosovë ka shërbyer në kuadër të misionit paqeruajtës të NATO-s, KFOR, i ka dhënë informacione konfidenciale partneres së tij, të cilat ajo më pas ua ka përcjellë anëtarëve të Listës Serbe.

Ndërkaq janë konfirmuar dyshimet e mëparshme për përfshirjen e Serbisë në përhapjen e rrymave radikale në Kosovë, sidomos pas arrestimit të fundit të Shehollit i dyshuar për përfshirje në spiunazh.