Në dosjen e fundit të Gjykatës Speciale, Prokuroria ka paraqitur një varg pretendimesh të reja për mënyrën se si Hashim Thaçi, gjatë periudhës së paraburgimit, ka tentuar të ndikojë në dëshmitarë dhe të ndërtojë një version alternativ të ngjarjeve të luftës.
Sipas dokumenteve, që mbështeten në materiale të incizuara dhe dëshmi të vizitave në paraburgim, Thaçi është përpjekur të formësojë një narrativë që e minimizon rolin e tij ushtarak në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe e zhvendos autoritetin kryesor te figura e Adem Demaçit.
Në dokument thuhet se Thaçi i ka konsideruar katër persona si “dëshmitarë vendimtarë” – Bislim Zyrapin, Sokol Bashotën, Sylejman Selimin dhe Shukri Bujën – duke u dhënë udhëzime për mënyrën se si të dëshmojnë. Prokuroria përmend disa takime të zhvilluara gjatë muajve korrik–tetor 2023, ku këta persona janë përmendur si “katër kryesorët” e UÇK-së.
Në njërën nga vizitat, sipas dosjes, Thaçi i kishte këshilluar ata të ishin “të zgjuar si Remi” dhe të shmangnin çdo dëshmi që mund të dëmtonte të akuzuarit. Po ashtu, në një bisedë të regjistruar, i drejtohet Fadil Fazliut me fjalët: “Nëse nuk di si ta menaxhosh këtë, ardhja këtu do të të shkatërrojë. Ai mund të kthehet fizikisht, por si person ka mbaruar.”
Sipas Prokurorisë, këto komunikime përbëjnë prova se Thaçi po përpiqej të ndikonte në dëshmitarë për të ndërtuar një version të ri të hierarkisë dhe vendimmarrjes në UÇK. Ky version, sipas dosjes, parashihte që:
▶︎ Adem Demaçi të paraqitej si autoriteti më i lartë politik i UÇK-së;
▶︎ komandantët e zonave të shiheshin si figura të pavarura që nuk merrnin urdhra nga Shtabi i Përgjithshëm;
▶︎ vetë Thaçi dhe Kadri Veseli të përshkruheshin si të përfshirë kryesisht në veprimtari politike e diplomatike.
Në një dokument të gjetur tek Bashkim Smakaj, që përfshihet në dosje, shkruhet se “që nga gushti i vitit 1998, Adem Demaçi ishte autoriteti kryesor për marrjen e vendimeve në UÇK”, një formulim që sipas Prokurorisë pasqyron pikërisht udhëzimet e Thaçit për mënyrën se si duhej të dëshmonin të përfshirët.
Udhëzimet për dëshmitarët dhe “riinterpretimi” i historisë
Prokuroria e Gjykatës Speciale thekson se qëllimi i Thaçit ka qenë ta zvogëlonte përgjegjësinë e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së për periudhën e viteve 1998–1999 dhe ta paraqiste veten si figurë me rol kryesisht politik.
Në këtë kontekst, sipas Prokurorisë, Thaçi ka udhëzuar që dëshmitarët të deklaronin se gjatë pranverës dhe verës së vitit 1998, Shtabi i Përgjithshëm përbëhej vetëm nga disa individë të përmendur me emra të veçantë, ndërsa ai dhe Kadri Veseli merreshin me “çështje politike dhe mediatike” dhe zhvillonin takime me përfaqësues ndërkombëtarë.
Gjithashtu, sipas dokumenteve, Thaçi ka sugjeruar që dëshmitarët të theksojnë se Adem Demaçi ishte autoriteti më i lartë në UÇK dhe se komandantët e zonave vepronin në mënyrë të pavarur, pa marrë urdhra nga Shtabi i Përgjithshëm.
Në këtë version të ngjarjeve, përgjegjësia për çdo veprim gjatë luftës shihej si individuale dhe jo si institucionale, ndërsa Qeveria e Përkohshme e Kosovës paraqitej si “aspiratë” që nuk kishte funksionuar për shkak të fillimit të bombardimeve të NATO-s dhe mospjesëmarrjes së LDK-së.
Sipas Prokurorisë, Thaçi ka tentuar gjithashtu që të minimizojë rëndësinë e komunikatave të pasluftës të UÇK-së, duke i cilësuar ato si “propagandë”, dhe të theksojë se vetëm Adem Jashari kishte luajtur rolin kryesor në ngritjen e moralit të luftëtarëve.