Përplasjet politike mes Kosovës dhe Serbisë kanë marrë sërish vëmendje rajonale dhe ndërkombëtare, pas zhvillimeve të fundit në samitin e procesit Bërdo-Brioni, i mbajtur në Durrës.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, akuzoi ashpër presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, për tentativa të qëllimshme për të sabotuar dhe destabilizuar punimet e takimit, duke sjellë me vete, sipas saj, një gjuhë fyese dhe arrogante që synonte të nxitë përçarje mes vendeve të Ballkanit Perëndimor. Megjithatë, pavarësisht tensioneve, liderët e rajonit arritën që në fund të dakordohen për një deklaratë të përbashkët, duke dërguar një mesazh uniteti dhe bashkëpunimi.
Në deklaratat e saj pas samitit, Osmani nënvizoi se Kosova qëndronte në krah të së drejtës dhe ligjit ndërkombëtar, duke përmendur mbështetjen që vendi ka nga vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë mbi ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë më 2008.
Ajo e konsideroi sjelljen e Vuçiqit si përpjekje për propagandë politike dhe tha se reagimi i Kosovës ishte i bazuar në fakte dhe në qëndrime të qarta që mbrojnë integritetin dhe sovranitetin e saj.
“Ai [Vuçiq] mori rikonfirmimin tonë të përbashkët që kjo shënon një bashkëpunim që ka për qëllim mbrojtjen tonë dhe përgjigja ime ishte që në tërë historinë e ekzistencës sonë si komb ne asnjëherë nuk e kemi sulmuar askënd, s’e kemi pushtuar askënd, por gjithmonë e kemi mbrojtur dhe do të vazhdojmë ta mbrojmë integritetin tonë territorial. Aleanca tona janë aleanca mbrojtëse për të na mbrojtur nga rreziqet që na vijnë nga të tjerët. Për Kosovën, rreziku na vjen nga Serbia kështu që ne do të vazhdojmë ta fuqizojmë ushtrinë tonë”, tha Osmani.
E si duhet parë kjo qasje arrogante dhe ofenduese e Vuçiqit dhe se a duhet të ndëshkohet nga ndërkombëtarët folën njohësit e çështjeve.
Ukshini: Sjellja e Vuçiqit dhe mungesa e sanksionimit ndërkombëtar
E në lidhje me këtë temë, për “Bota sot” foli ish-ambasadori dhe njohësi i politikave të jashtme, Sylë Ukshini.
Së pari, ai tha se deklaratat e Vuçiqit nuk janë ‘incidente’ të izoluara, por vazhdimësi e politikave agresive e autoritare të Serbisë.
Sylë Ukshini
“Qasja ofenduese e presidentit serb Aleksandar Vuçiq në samitet rajonale, si ai i Bërdo-Brionit në Durrës, nuk përbën një incident të izoluar, por është pjesë e një vazhdueshmërie të politikës agresive dhe hegjemoniste të autoriteteve nacionaliste serbe, të cilat nuk e kanë braktisur ende strategjinë e vjetër të “Serbisë së Madhe”. Kjo sjellje është vazhdim i traditës politike të “politikës së dyfishtë” të Nikolla Pashiqit: Serbia paraqitet në arenën ndërkombëtare si promovuese e “paqes dhe stabilitetit”, ndërsa në praktikë nxit tensione, financon struktura paralele në Kosovë dhe mbështet grupe të armatosura që kërcënojnë sigurinë rajonale — siç dëshmoi rasti i Radoiçiqit dhe sulmi terrorist në Banjskë”.
Ukshini foli edhe për mungesën e reagimeve të ndërkombëtarëve për këtë sjellje të Vuçiqit dhe mosndëshkueshmërisë së tij.
Madje, ai potencoi faktin se Vuçiq është produkt politik i regjimit të Sllobodan Millosheviqit.
“Mungesa e një reagimi të vendosur nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara ndaj këtyre veprimeve i ka dhënë Vuçiqit ndjenjën e pandëshkueshmërisë, duke e trimëruar të sillet me arrogancë edhe në forume zyrtare ndërkombëtare. Ai shfrytëzon në mënyrë të qëllimshme pozicionin e brishtë të Kosovës për të projektuar epërsi politike dhe për të imponuar diskurs dominues. Kjo sjellje përbën jo vetëm provokim diplomatik, por edhe vazhdimësi të logjikës shtetërore serbe, që për dekada është ushqyer nga narrativat e dhunës, viktimizimit dhe superioritetit kombëtar.
Siç dihet, Vuçiq është produkt politik i regjimit të Sllobodan Millosheviqit, dhe në të kaluarën ka artikuluar publikisht qëndrime ekstremiste — duke kërcënuar, në stilin e fashizmit të shekullit XX, se “për një serb do të vriten 50 myslimanë”. Njerëz të tillë nuk mund të pritet të përfaqësojnë frymën e bashkëpunimit rajonal, e aq më pak vlerat evropiane. Serbia vazhdon të mos e gjejë “lumturinë” brenda kufijve të saj aktualë, sepse që nga themelimi si shtet në shekullin XIX, çdo luftë e saj ka përfunduar me zgjerim territorial. Sot është hera e parë pas rënies së Murit të Berlinit që Serbia, për shkak të dobësimit të Rusisë, nuk ka arritur të zgjerohet”.
Krahas kësaj, ish-ambasadori e cilësoi si të nevojshme reagimin publik të presidentes Osmani ndaj ofendimeve të Vuçiqit.
“Në këtë kontekst, qëndrimi i presidentes Vjosa Osmani për ta ekspozuar publikisht këtë sjellje të Vuçiqit është i drejtë dhe i nevojshëm. Ai synon të demaskojë hipokrizinë politike të Beogradit. Megjithatë, mungesa e reagimit të ashpër ndërkombëtar krijon perceptimin se Bashkimi Evropian është më i prirë ta “qetësojë” Serbinë sesa ta vendosë atë përballë përgjegjësisë historike për politikat e saj destabilizuese. Ky është dështim i qartë i politikës evropiane ndaj Ballkanit dhe pasojë e lidhjeve të vjetra historike e gjeopolitike që shohin ende në Beogradin një faktor të domosdoshëm për “ekuilibrin” rajonal”.
Vlerësimi i qasjes diplomatike të presidentes Osmani
Tutje, Ukshini vlerësoi punën e presidentes tonë, por që kërkoi koordinim më të thellë me ndërkombëtarët dhe ambasadat, kjo në mënyrë që diplomacia të ketë një funksion dhe harmonizim të plotë.
ImageAmir ShabaniFoto galeri
“Presidentja Vjosa Osmani ka arritur të ruajë një vijë parimore dhe të qëndrueshme në raport me Serbinë, duke e pozicionuar Kosovën si palë që mbron integritetin territorial dhe parimet e së drejtës ndërkombëtare. Megjithatë, diplomacia nuk funksionon vetëm përmes deklaratave publike — ajo kërkon koordinim institucional, vizion strategjik dhe veprim të harmonizuar diplomatik. Në këtë drejtim, vërehen disa mangësi të dukshme strukturore:
Mungesa e kohezionit institucional: Shumë ambasada janë reduktuar në funksione formale e ceremoniale, duke mos ndjekur prioritetet shtetërore por agjenda personale të ndonjë udhëheqësi politik. Në komunikim publik brenda vendit dhe jashtë, më shumë ajo ka treguar përpjekje për protagonizem sesa për një diplomaci të bashkerenduar dhe afektive. Mungesa e rrotacionit të ambasadorëve ka prodhuar pasivitet dhe mungesë dinamike”, nënvizoi ai.
Më tej, ai foli edhe për disa pika, e që sipas tij duhet të punohet më shumë në mënyrë që diplomacia e Kosovës të jetë më e fuqishme.
Në këtë pikë, përmendi edhe mungesën e një ambasadori në Izrael.
“Emërimet selektive dhe të vonuara: Përveç një konsulli te Përgjithshëm në Frankfurt, nuk janë emëruar përfaqësues të rinj në pozita kyçe. Kjo tregon mungesë vullneti për rigjallërimin e trupit diplomatik.
Moskapitalizimi i njohjeve të reja: Pavarësisht dy njohjeve gjatë mandatit të Osmanit (Kenia dhe Sudani), këto nuk janë ndjekur me vendosjen e marrëdhënieve të plota diplomatike, duke e zbehur efektin e tyre politik.
Mungesa e ambasadorit në Izrael: Katër vjet pas vendosjes së marrëdhënieve diplomatike, mungon ende një ambasador i dekretuar, çka përbën boshllëk serioz për një shtet që synon të forcojë lidhjet me SHBA-në dhe aleatët e saj strategjikë.
Kosovës i duhet një diplomaci institucionale e brendshme, me dokumente strategjike të qarta, udhëzime për ambasadat dhe koordinim ndërmjet Presidencës, Ministrisë së Jashtme dhe Zyrës së Kryeministrit. Vetëm përmes kësaj qasjeje, politika e jashtme mund të fitojë koherencë dhe efikasitet”.
Ndër të tjera, ish-ambasadori theksoi se nevojën për ndëshkim të Serbisë dhe Vuçiqit, derisa potencoi se provokimet në Durrës janë simptoma të një politike që nuk është denazifikuar kurrë.
“Në anën tjetër, sjellja e Vuçiqit përfaqëson modelin standard të politikës serbe: përpjekje për të shfrytëzuar dobësitë e brendshme të Kosovës dhe për t’i transformuar ato në kapital diplomatik ndërkombëtar. Provokimet si ai në Durrës janë simptoma të një politike që nuk është denazifikuar kurrë — as pas spastrimeve etnike e gjenocideve të viteve ’90.
Ndëshkimi i kësaj politike nuk mund të vijë vetëm përmes kritikave morale, por përmes izolimit diplomatik dhe politik të Serbisë, njësoj siç ndodhi me Gjermaninë pas Luftës së Dytë Botërore. Në vend të rehabilitimit të saj pa kushte, Serbia duhej të ishte demilitarizuar dhe pastruar nga strukturat politike të trashëguara nga Millosheviqi, përfshirë Partinë Socialiste që sot drejtohet nga Ivica Daçiq. Mosndëshkimi i Serbisë për krimet e saj ka bërë që e gjithë gjysma e parë e shekullit XXI të vazhdojë të mbetet peng i destabilitetit që prodhon Beogradi, gjithmonë në sinkron me ndikimin rus dhe me përkrahjen e heshtur të disa qendrave evropiane që ende e shohin Serbinë si “mburojë” kundër influencës austro-gjermane në Ballkan.
Në këtë kuptim, heroizmi i rremë serb që glorifikon luftërat, masakrat dhe spastrimet etnike është vetëm një fasadë e një politike të vjetër ekspansioniste, e cila vazhdon të përbëjë rrezik për paqen dhe stabilitetin në rajon”, përfundoi Sylë Ukshini për “Bota sot”.
Shabani: Padyshim se qasja ofenduese e Vuçiqit duhet ndëshkuar
Ndërsa, njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Amir Shabani foli për samitin e mbajtur në Durrës, temat dhe përplasjen Osmani-Vuçiq.
Ai në prononcimin e tij për “Bota sot” ai kërkoi ndëshkim të Vuçiqit dhe qasjes së tij ofenduese dhe kërcënuese.
“Samiti i Brdo-Brijunit është një samit që organizohet nga presidenca sllovene dhe kroate me qëllimin e forcimit të dialogut dhe bashkëpunimit ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor, posaçërisht në Planin e Rritjes së BE-së për rajonin.
Pas shkëmbimit të akuzave mes Presidentes Osmani dhe Presidentit Vuçiq në lidhje me sigurinë në rajon, ata janë ulur përballë njëri-tjetrit gjatë këtij samiti, ndonëse tensionet mes dy vendeve akoma nuk janë ulur.
Padyshim se qasja ofenduese e Vuçiqit duhet ndëshkuar dhe se Serbia tani më e ka bërë të qartë se është sateliti i vetëm i Rusisë në rajon, madje shkaktari për të nisur destabilizimin edhe në BE. Nevoja për reforma dhe referundum në Serbi është e domosdoshme, sepse në të kundërtën, vështirëson vizionin euro-atlantik të vendeve të rajonit, shikuar nga politikat proruse që i përkrah vazhdimisht qeveria e Vuçiqit”, theksoi ai.
Krahas kësaj, Shabani vlerësoi punën e Osmanit në aspektin diplomatik, e cila ekspozon hapur politikat kërcënuese dhe rreziqet që i vijnë Kosovës dhe rajonit nga Serbia.
“Presidentja Osmani po bën një punë të shkëlqyer sa i përket diplomacisë së Kosovës, mbrojtjes dhe përfaqësimit dinjitoz të vendit. Ajo shfaq në arenën ndërkombëtare rreziqet dhe kanosjet eventuale që mund të vijnë nga Serbia jo vetëm për Kosovën, por për tërë rajonin, duke qenë referenca e duhur dhe e argumentuar për dëmet, sulmet dhe spastrimin etnik që ka bërë Serbia në të kaluarën në Kosovë”, shtjelloi njohësi.
Ndër të tjera, ai shtoi se samiti u mbajt në një kohë vendimtare për të ardhmen e rajonit tonë.
“Andaj, Samiti i Brdo-Brijunit po mbahet në një moment vendimtar për të ardhmen e Ballkanit Perëndimor, ku trajtohen edhe çështjet që lidhen me forcimin e bashkëpunimit rajonal në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes së kufijve, si dhe ruajtjen e stabilitetit politik në rajon”, përmbylli Amir Shabani për “Bota sot”.