Gjatë fjalimit të tij në Samitin e Komunitetit Politik Evropian (EPC) në Kopenhagë, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka shprehur shqetësime serioze për të ardhmen e afërt të botës, duke deklaruar se “ajo do të bëhet gjithnjë e më e vështirë”.
Ai ka shtuar se, sipas vlerësimit të tij, bota po shkon drejt një konflikti të madh:
“E dimë tashmë se do të ketë luftë, dhe do të ketë, po jua them unë, sepse e shoh çfarë po ndodh dhe si po përgatiten të gjithë. Askush nuk po përgatitet për bisedimet – ata thjesht po shikojnë se kush do të jetë në anën e kujt. Po gërmojnë llogore dhe po e presin fillimin.”
Megjithëse nuk ofroi asnjë provë konkrete për këto pretendime, Vuçiq u zotua se Serbia do të bëjë gjithçka që është e mundur për të mos u përfshirë në një luftë të mundshme.
Eksperti i sigurisë, Bedri Elezi, thotë se Vuçiq ka bërë një paralajmërim serioz.
Elezi në një prononcim për gazetën “Bota sot”, thotë se Vuçiq është munduar t’i viktimizojë serbët.
“Deklarata e presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiq, i cili pos tjerash e përmendi luftën dhe situatën e rëndë të serbëve, i cili është duke tentuar që t’i viktimizojë serbët është një paralajmërim serioz i situatës së sigurisë, mund të themi se është një shpallje lufte që ai e ka bërë, apo mund të themi se është një deklarim i angazhimit që Serbia ka në lidhje me sigurinë në gadishullin ballkanik. I njëjti është munduar t’i viktimizojë serbët që është njëra nga komponentët që trajtohet në aspektin e sigurisë si parapërgatitet opinioni i caktuar për një zhvillim të caktuar dhe në rastin konkret ai është munduar që të tregojë detyrimet që ka Serbia për popullin serb dhe jashtë kufijve të saj duke konstatuar situatën e rëndë të tyre”, deklaron Elezi.