“Jam i bukur, kam gjendje financiare të mirë dhe shëtis botën”, gazetarja Albana Bejko publikon mesazhet e psikiatrit nga Kosova që e përndiqte

Gazetarja sportive e njohur, Albana Bejko, ka folur për herë të parë publikisht mbi një ngjarje të rëndë që ka përjetuar, duke treguar se ka qenë viktimë e përndjekjes nga një mjek nga Kosova, i identifikuar si Behar Kamberi.

E ftuar në emisionin “Goca dhe Gra” në Top Channel, Bejko rrëfeu se përndjekja kishte nisur më shumë se një vit më parë dhe ishte bërë gjithnjë e më intensive, deri në momentin që ajo vendosi të kërkojë ndihmën e institucioneve, gjë që më pas çoi në arrestimin e autorit.

“Një moment i frikshëm ishte kur në ambientet ku unë punoj, personi u afrua dhe më kërkoi që të uleshim për kafe. Reagimi im ishte instiktiv, i trembur — i thashë ‘të lutem mu hiq qafe’. Pikërisht në atë moment kaluan katër djem dhe kjo e trembi pak. Periudha më intensive e përndjekjes ka qenë nga qershori i vitit të kaluar deri para pak ditësh, kur unë telefonova policinë”, – rrëfeu gazetarja.

Në studio, Albana shfaqi edhe mesazhet këmbëngulëse dhe shqetësuese që i dërgonte mjeku kosovar, të cilat tregonin një fiksim të thellë ndaj saj. Ai i shkruante duke e quajtur “gruaja e ëndrrave të tij” dhe i ofronte martesë, duke pretenduar se ishte “mashkulli ideal” për të.

Në një prej mesazheve, Kamberi i shkruante: “Përshëndetje Albanë nga Behari. Unë jam burrë ideal për ty. Jam doktor intelektual, gentleman, i bukur dhe i sinqertë. Kam gjendje të mirë financiare dhe shëtis botën. Por eja martohemi dhe jetojmë së bashku në një banesë në Prishtinë, por edhe në Tiranë. Ti do vazhdosh të punosh si tani. Pres reflektim nga ti”.

Në një tjetër mesazh, ai përpiqej ta bindte për t’u takuar personalisht: “Tashmë pasi që ne po njihemi që një kohë të gjatë, kemi bërë foto dhe kemi folur në telefon, kam një ftesë për kafe me ty… Kur të konvenon dhe kur është mirë për ju. Jam në pritje, më lajmëro. Behari”.