Plot 64 persona kishin aplikuar në konkursin e hapur me 3 korrik të këtij viti nga Këshilli i Pavarur Mbikqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës (KPMShCK) për pozitën Zyrtar i lartë për inspektim administrativ në këtë institucion.
Megjithë konkurrencën e madhe, Merlinda Ramaj e cila dikur ishte asistente e ish-Ministres së Tregtisë Hykmete Bajrami nga LDK-ja, pati “fatin” që të punësohet në KPMSHCK duke kaluar e vetme testin me shkrim për tu punësuar si zyrtare e lartë për inspektim administrativ në KPMShCK.
Ramaj gjithashtu kishte pasur “fatin” që të punësohej në shërbimin civil si zyrtare në Ministrinë e Tregtisë qysh në vitin 2017, përderisa ishte asistente e ministres që drejtonte këtë dikaster znj.Hykmete Bajrami.
Sipas hulumtimit të KosovaNews ky konkurs dyshohet të jetë krejtësisht i kurdisur me një skenar të mirëmenduar, ndërkohë që të gjitha procedurat e konkursit janë ndjekur sa për sy e faqe.
KPMSHCK-ja fillimisht kërkon trasferin e Merlinda Ramës nga ministria mirëpo MINT nuk ja aprovon, pastaj me konkurs të “hapur” e përzgjedh në mesin e 64 aplikantëve.
Më 5 maj të këtij viti Bujar Sadiku Sekretar i Përgjithshëm në KPMShCK I kishte dërguar një email sekretarës së Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) ku kishte bërë kërkesë që zyrtarja ligjore Merlinda Ramaj të transferohej në KPMSHCK në pozitën Zyrtare e lartë për inspektim administrativ për nevojat e institucionit.
KosovaNews ka siguruar emailin ku ndër të tjera thuhet se: “Kërkojmë të aprovoni transferimin e nëpunëses civile znj.Merlinda Ramaj në pozitën Zyrtar i Lartë për Inspektim Administrativ, meqë transferimi i përhershëm është në interesin e institucionit tonë”
Emaili i sekretarit të KPMShCK-së dërguar në MINT
Sipas burimeve të KosovaNews MINT nuk e kishte aprovuar transferimin e ish-asistentës së ish-Ministres Hykmete Bajrami në KPMShCK.
Pasi kishte pritur për mëse 2 muaj aprovimin nga ministria, KPMShCK-ja kalon në skenarin B për rekrutimin e Merlinda Ramës përmes konkursit “të hapur” e që në fakt ky lloj konkursi në bazë të rrjedhës, dyshohet të jetë krejtësisht i kurdisur.
Konkursi “i hapur” që kalon vetëm një person
Më 3 korrik 2025, në web faqen e KPMShCK-së shpallet konkursi i rregullt për pozitën Zyrtar i Lartë për Inspektim Administrativ. Në këtë konkurs aplikojnë 64 kandidatë, përfshirë edhe znj. Ramaj. Në fazën preliminare ishin eliminuar plot 43 kandidatë duke mbetur në garë vetëm 21 për t’ju nënshtruar testit me shkrim ndërkohë vetëm 8 prej tyre ishin paraqitur për testim. Për “fat” Merlinda Ramaj rezulton e vetmja që e kalon testin me shkrim, duke e siguruar kështu pjesëmarrjen në fazën e intervistës me gojë pa asnjë kundërkandidat , ku më pas ajo lehtësisht pranohet në punë.
KosovaNews ka dërguar pyetje dhe kërkesë për çasje në dokumentet publike në KPMSHCK për të mësuar të gjithë rrjedhën e këtij konkursi të “hapur”.
Në një përgjigje të gjatë dhënë për KosovaNews KPMSHCK-ja përpiqet të paraqesë çdo veprim si në përputhje me ligjin dhe rregulloret, duke përdorur referenca ndaj neneve, paragrafëve dhe pikëve të rregulloreve. Por, ligjshmëria formale nuk përjashton mungesën e integritetit real të procesit në dy dyshimet kryesore:
Kërkesa e mëhershme për transferimin e një personi specifik (Merlinda Ramaj), para shpalljes së konkursit;
Më pas, shpallja e konkursit, ku i njëjti person kalon si e vetmja kandidate, e cila më herët ishte synuar të futej në institucion jashtë konkurseve.
Kjo ngre pyetjen legjitime: A është dizajnuar konkursi për ta legalizuar një vendim që ishte marrë paraprakisht?
KPMShCK- nëpërmjet zëdhënëses së saj ka dhënë një përgjigje të gjatë duke e shoqëruar me një mori dokumentesh e një varg arsyetimesh.
“Në këtë konkurs kanë aplikuar 64 kandidatë, ndërsa sipas njoftimit të datës 13.08.2025, të verifikimit paraprak rezulton se njëzetë e një (21) kandidatë kanë plotësuar kërkesat e përgjithshme formale të këtij konkursi.
Në testin me shkrim prej 21 kandidatëve të ftuar për pjesëmarrje në testim, kanë marr pjesë vetëm tetë (8) kandidatë, ndërsa ka rezultuar se testin me shkrim e ka kaluar vetëm një kandidatë dhe atë me 50 pikë, aq sa është pragu minimal për të kaluar testin me shkrim “ thuhet në përgjigjen e KPMShCK-së
Gjithashtu KPMShCK ka konfirmuar burimet tona duke thënë se para shpalljes së konkursit kishin kërkuar edhe transferimin e një zyrtari nga MINT e që bëhet fjalë pikërisht për znj.Merlinda Ramaj.
Ajo është më skandaloze në këtë proces, KPMShCK ka pranuar se ka targetuar tre zyrtarë të preferuar për t’i punësuar në këtë institucion përmes trasnferit nga instutucionet tjera. Përderisa për dy të tjerë ja kishte arritur qëllimit përmes transferit, në rastin e Melinda Ramës fillimisht kishte dështuar në procedurën për transfer, por më pas ia arrin qëllimit përmes skenarit të “konkursit të hapur”.
“Para se të shpallim këtë pozitë, kemi pasur dy pozita të lira ngase dy zyrtar nga institucioni jonë kanë kaluar me transfer në institucionet e tjera, kemi parashtruar kërkesë për transferim të zyrtarëve nga Zyra e Kryeministrit, Agjencia e Statistikave të Kosovës dhe Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, ndërsa nga ky proces kemi plotësuar personelin me nga një transferim atë nga Zyra e Kryeministrit dhe Agjencia e Statistikave të Kosovës, Pasi që zyrtari i transferuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës është transferuar pas një muaji prapë në institucionin ku ka qenë, pozita ka mbetur e lirë dhe ka filluar procesi i rekrutimit.” thuhet ndër të tjera në përgjigjen e KPMShCK-së
Institucioni që duhet të garantojë integritet, bie vetë në grackën e klientelizmit
Në kohën kur qeveria Hoti ishte ende në detyrë, më 9 tetor 2020, Kuvendi i Kosovës kishte zgjedhur 5 anëtarë të KPMSHC-së me mandat 7 vjeçar: Eshref Shabani, Malsore Gashi-Bajraktari, Jeton Koca, Arben Mehmeti, Ardita Haxhnikaj-Demi.
Përzgjedhja e tyre në atë kohë ishte bërë kryesisht në baza partiake, duke e politizuar skajshmërisht këtë këshill, në të cilin kishte anëtarë e simpatizantë të PDK-së dhe të LDK-së.
Aktualisht Arben Mehemeti është kryetar i KPMSHC-së, para se të zgjedhej në këtë pozitë kishte qenë aktivist i Lidhjes Demokratike të Kosovës duke mbajtur pozita të ndryshme në këtë parti. Ai kishte qenë sekretar i degës së LDK-së në Gjilan dhe në momentin kur ishte zgjedhur kishte dhënë dorëheqje nga LDK-ja, këtë vetë e kishte pranuar në një deklaratë publike.
KPMShCK është një organ i pavarur kushtetues që ka për detyrë mbrojtjen e ligjshmërisë dhe meritokracisë në shërbimin civil. Ky institucion ka fuqinë të vlerësojë ankesat e nëpunësve civilë dhe të korrigjojë padrejtësitë e mundshme në punësim, avancim dhe disiplinë në administratën publike.
Por kur ky institucion vetë përfshihet në një proces punësimi të kontestueshëm, në të cilin shihet qartë një lidhje paraprake midis kandidatit të përzgjedhur dhe ish-udhëheqësve politikë, besimi publik goditet rëndë. Rasti i znj. Ramaj duket më shumë si një zhvendosje politike nga një institucion në tjetrin, sesa si rezultat i një gare të ndershme.
Çfarë mesazhi po i jepet qytetarëve?
Në një shtet ku institucionet e pavarura janë të pakta dhe me kapacitete të brishta, praktikat e tilla e rrënojnë kredibilitetin e sistemit të punësimit në sektorin publik. Ato gjithashtu dekurajojnë profesionistët e rinj dhe të kualifikuar, të cilët përballen me dyer të mbyllura për shkak të mungesës së lidhjeve politike.
Rasti i znj. Ramaj është një shenjë e kapjes së shtetit dhe institucionalizimin e klientelizmit politik, që nuk kursen as institucionet që duhet të jenë gardianë të ligjit dhe barazisë.