Pak ditë para ndeshjes së shumëpritur Serbi–Shqipëri, e vlefshme për kualifikueset e Botërorit, është zbuluar një tjetër akt absurd nga autoritetet serbe.
Gazetari i njohur sportiv, Arlind Sadiku, nuk do të mund të raportojë nga stadiumi i Leskovacit, pasi ndaj tij ekziston një urdhër-arrest aktiv në Serbi.
Lajmin e ka konfirmuar vetë Sadiku, gjatë një interviste në Kosovë, ku deklaroi se pas verifikimeve të kryera nëpërmjet kontakteve në Luginën e Preshevës dhe institucioneve lokale, është informuar se ndodhet në listën e personave të kërkuar nga autoritetet serbe.
“Jam interesuar përmes institucioneve serbe, përmes shqiptarëve që kemi në Luginën e Preshevës, megjithatë ka një urdhër-arrest ndaj meje, kështu që nuk do të më lejohet të udhëtoj”, u shpreh ai.
Ndeshja, që do të zhvillohet më 11 tetor në qytetin e Leskovacit dhe jo në Beograd për arsye sigurie, tashmë po merr përmasa më të gjera politike dhe ndëretnike, ndërsa Serbia vijon me sjelljet e saj të njëanshme ndaj shqiptarëve, edhe në evente sportive.