Një studim i ri ka zbuluar se grupi i gjakut mund të ndikojë në rrezikun për të pësuar goditje në tru (insult), duke treguar se mënyra se si është ndërtuar biologjikisht trupi ynë ndikon drejtpërdrejt në shëndet
Që në vitin 2022 ishte vërejtur lidhja mes grupit të gjakut dhe rrezikut për goditje në tru, por hulumtimet e fundit e kanë thelluar edhe më shumë këtë njohuri.
Grupi i gjakut dhe rreziku nga goditja në tru
Ndoshta jeni të njohur me grupet e gjakut A, B, AB dhe O, të cilat përcaktohen nga prania e markuesve kimikë (antigjeneve) në sipërfaqen e qelizave të kuqe të gjakut. Edhe brenda këtyre grupeve kryesore ekzistojnë nënvariante të vogla, të shkaktuara nga mutacione gjenetike.
Në këtë studim, shkencëtarët analizuan të dhënat nga 48 hulumtime gjenetike, që përfshinin rreth 17.000 pacientë me goditje në tru dhe afro 600.000 persona pa histori të tillë. Të gjithë pjesëmarrësit ishin të moshës 18–59 vjeç.
Rezultatet zbuluan një lidhje të qartë midis gjenit që përcakton nënvariantin A1 të grupit të gjakut dhe rrezikut të shtuar për goditje në tru në moshë të re.
Sipas studimit, personat me grupin e gjakut A kishin 16% rrezik më të lartë për të pësuar goditje në tru para moshës 60 vjeç, ndërsa ata me grupin O1 kishin 12% rrezik më të ulët, raporton Science Alert.