Sipas parashikimeve meteorologjike, dita e sotme shënon reshje të pakta shiu në jug dhe dëborë në zonat veriore e verilindore të vendit, por situata do të përmirësohet në orët në vijim. Në mbrëmje dhe gjatë natës reshjet do të kufizohen vetëm në zona të izoluara të verilindjes.
E shtuna pritet të sjellë mot të kthjellët, me vranësira kalimtare por pa reshje. Temperaturat do të zbresin ndjeshëm në mëngjes, duke shënuar deri në 0°C në zonat e thella malore, ndërsa në mesditë do të ketë një rritje deri në 20°C, kryesisht në jugperëndim.
E diela do të nisë me rritje të lehtë temperaturash si në mëngjes edhe në mesditë, por pasditja do të shoqërohet me rikthim të reshjeve të pakta të shiut. Në orët e vona të së dielës dhe në pjesën e parë të së hënës reshjet do të jenë prezente në pjesën më të madhe të territorit, ndërsa dëbora do të shfaqet vetëm në majat e maleve për shkak të rritjes së ndjeshme të temperaturave.
Nga e marta, moti stabilizohet sërish me mëngjese të freskëta dhe mesditë tipike të vjeshtës, me temperatura që do të arrijnë deri në 24°C.