Javën që po hyjmë do të ketë një pushim nga dëshmitarët e prezantuar nga ana e mbrojtjes së Hashim Thaçit ose Jakup Krasniqit. Megjithëse, sipas gazetares Rina Mujku, gjatë kësaj jave do të ketë zhvillime të tjera.
Në emisionin “Info Magazine”, Mujku bëri të ditur se mbrojtja, sidomos e Thaçit, do të jetë shumë e zënë për shkak se, sipas saj, do të bëhet publike dhe do të dorëzohet dosja paraprake në rastin e dytë ku po gjykohet ish-presidenti i Kosovës, së bashku me Bashkim Smakajn, Fadil Fazliun, Isni Kilaj dhe Hajredin Kuçi.
“E kemi diskutuar para dy javësh një kërkesë të Hashim Thaçit për të pasur lehtësime sa i përket protokollit të kontaktit me dëshmitarët e Prokurorisë, sepse ndryshe nga katërshja, Hashim Thaçi ka akoma më shumë vështirësi për të kontaktuar me dëshmitarët e Prokurorisë, dhe për t’i intervistuar ata, për t’u bërë gati natyrisht për mbrojtjen, dhe për ta bërë gati dosjen paraprake të cilën ka kohë ta dorëzojë vetëm deri më 20 tetor, vetëm edhe dy javë të tjera. Mirëpo ka kërkuar që të ketë lehtësime sa i përket dëshmitarëve që kanë qenë dëshmitarë edhe te rasti i madh për krime lufte dhe për krime të njerëzimit, sepse ekziston akoma, është në fuqi afati se Thaçi, mbrojtja e tij duhet që të paktën 10 ditë më herët të lajmërojë Prokurorinë se dëshiron ta kontaktojë një dëshmitar të tyre, në mënyrë që Prokuroria ta pyes atë dëshmitar nëse ai pranon të flasë me mbrojtjen e Thaçit”, tha gazetarja .
“Po ashtu është edhe ai kushti tjetër, që Thaçi duhet ta regjistrojë me video, me zë, secilën pjesë të dëshmisë, kontaktet me dëshmitarin e Prokurorisë dhe ta ndajë atë me palët tjera. Mirëpo kjo lidhet me rastin e dytë, sepse Thaçi, mbrojtja e tij ka pretenduar vazhdimisht deri tash, se shumica e dëshmitarëve tek rasti i parë, janë dëshmitarë relevant edhe për rastin e dytë, sepse tek e fundit akuzohet për tentim të pengimit të dëshmitarëve, apo tentimin e ndikimit tek ta”.
“Tani Prokuroria ka dorëzuar një parashtresë tjetër, që e kundërshton kokë e këmbë atë që Thaçi dhe avokatët e tij e kanë parashtruar para dy javësh, që thotë se lënda e dytë nuk lidhet vetëm me dëshmitarët, por me veprimet konkrete të vet zotëri Thaçit, dhe Prokuroria do të bazohet më tepër tek provat që ka marrë nga bastisjet që kanë bërë të Hashim Thaçi në Qendrën e Paraburgimit në, dhe po ashtu tek shtëpitë e të akuzuarve të tjerë, sesa tek vetë këta dëshmitarë”, u shpreh tutje Mujku.
Ndër të tjera, ajo thotë se Prokuroria po pretendon se Thaçi ka ndikim shumë të madh te ish-pjesëtarët e UÇK-së.
“Po ashtu në njërën prej pikave thonë që Hashim Thaçi ka ndikimin tepër të madh tek ish-pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e nëse dëshiron që të kontaktojë me ta, ata mund të pranojnë nën presion që të flasin me Thaçin, dhe nën frikë nga vet Thaçi, që është një pretendim i radhës nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, çka në fakt nuk është vënë re nga asnjëra prej dëshmive, qoftë edhe nga figurat e larta të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që kanë dëshmuar përgjatë dy vjetëve si dëshmitarë të Prokurorisë”, deklaroi gazetarja.