Në Samitin e Komunitetit Politik Evropian (EPC) në Kopenhagë, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka bërë thirrje për luftë. Ai deklaroi se “të gjithë po përgatiten për luftë”, ndërsa për Kosovën tha se po “përpiqet ta përdorë këtë kohë para luftës” për t’i bindur ndërkombëtarët që të mbajnë anën e saj.
“E dimë tashmë se do të ketë luftë, dhe do të ketë, po jua them unë, sepse e shoh çfarë po ndodh dhe si po përgatiten të gjithë. Askush nuk po përgatitet për bisedimet, ata thjesht po shikojnë se kush do të jetë në anën e kujt. Ata po gërmojnë llogoret e tyre dhe po e presin fillimin”, deklaroi Vuçiq në Kopenhagë.
Për këto deklarata ka reaguar Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila tha se ai dhe regjimi i tij vazhdojnë të ndjekin politika destruktive.
“Pavarësisht viteve të angazhimit të palodhur amerikan dhe evropian për t’ia hapur rrugën paqes afatgjatë, Vuçiqi po tregon se nuk ka zgjedhur rrugën e pajtimit. Në vend të ndryshimit të kursit, ai dhe regjimi i tij po flirtuan përsëri me fantazitë destruktive që kanë shkatërruar shumë jetë të pafajshme,” shkroi Osmani në një postim në X.
Hoxha tregon se çfarë taktike po përdor Vuçiqi
Lidhur me këtë çështje, Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hafir Hoxha, në një prononcim për “Bota sot”, e ka komenura deklaratën e Vuçiqit.
“Deklarata e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është e ngarkuar politikisht dhe komunikon më shumë frikë, presion e propagandë sesa realitet ushtarak.
Vuçiqi ka probleme serioze brenda vendit, prandaj po mundohet ta dekoncentrojë popullatën e tij që proteston, se ka rreziqe nga jashtë!”, ka thënë ai
Hoxha ka theksuar se Vuçiq përdor retorikë frikësimi, duke paraqitur Serbinë si të rrethuar nga armiqtë.
“Kjo është një retorikë frikësimi, ku Vuçiq përpiqet të shfaqë veten dhe Serbinë si palë të rrethuar nga armiqtë.
Në praktikë, nuk ka asnjë indikacion që shtetet evropiane apo NATO po përgatiten për një luftë kundër Serbisë. NATO ka prezencë në Kosovë (KFOR), por ajo ka mandat mbrojtës dhe paqeruajtës, e jo të sulmojë Serbinë!
Vuçiq përdor shprehje të tilla për të mobilizuar opinionin e brendshëm serb, duke krijuar ndjenjën se “Serbia është viktimë” dhe duhet të jetë e bashkuar rreth tij”, ka vlerësuar ai.
Sipas tij, kjo deklaratë e Vuçiqit është shqetësuese dhe se rrit tensionet dhe krijon pasiguri në rajon.
“Po, sepse një deklaratë e tillë rrit tensionet dhe krijon pasiguri në rajon.
Ajo nuk është domosdoshmërisht shenjë e përgatitjes për luftë reale, por mund të shërbejë si arsyetim për veprime destabilizuese (provokime në veri të Kosovës, rritje të prezencës ushtarake në kufi, presion diplomatik)”, ka shtuar ai.
Sipas tij, Vuçiqi po e përdor në një masë taktiken “sulmi është mbrojtja më e mirë”.
Në një masë, po. Vuçiq shpesh përdor parandalim verbal: duke folur për luftë, ai përpiqet të trembë BE-në dhe NATO-n, që këta të fundit të jenë më të kujdesshëm dhe më të favorshëm ndaj Serbisë.
Kjo është gjithashtu një taktikë për të zhvendosur vëmendjen nga krizat e brendshme politike dhe ekonomike në Serbi.
Deklarata mund të shihet si presion diplomatik: ai sinjalizon se, nëse nuk i plotësohen disa kërkesa të Serbisë, “rreziku i luftës” do të rritet.
Deklarata është më shumë propagandë politike dhe lojë psikologjike sesa paralajmërim real për luftë. Është një mënyrë që Vuçiq të pozicionojë Serbinë si viktimë dhe të shtojë presion mbi Perëndimin. Por, për rajonin, mbetet e rrezikshme sepse krijon tension dhe ushqen klimën e pasigurisë”, ka shpjeguar Hoxha.
Dashevci: Duhet shmangur çdo provokim për të mos ndezur konfliktin
Ndërkaq, eksperti i sigurisë, Arben Dashevci ka cilësuar se Vuçiqi po e shpreh frustrim dhe duke përdorur këtë qëndrim për të forcuar pozicionin e tij brenda vendit.
“Vuçiq, po e shpreh frustrimin e tij, mendoj unë, këtë e ka përsëritur vite të tëra sepse mbanë anën e Rusisë.
Është trampolinë e saj si gjithmonë, pra nuk është ndonjë lajm i ri nga ana e tij, i nevojitet për konsumin e tij të brendshëm, ka dhe po ballafaqohet me probleme të mëdha të brendshme.
Atij nuk i mundësua as një karrige për t’u ulur në Danimarkë dhe ishte ulur diku në qoshe pa ndonjë vëmendje nga askush”, ka thënë ai.
Tutje, Dashevci ka përmendur faktin se NATO është në Kosovë dhe kujdeset për të gjithë, çka Vuçiqi e di mirë.
“E ka thënë të premten edhe njëherë se “të gjithë po përgatiten për luftë” dhe se Kosova po “përpiqet ta përdorë këtë kohë para luftës” për t’i bindur shumicën e shteteve evropiane dhe vendet e NATO-s t’ia mbajnë anën Kosovës.
NATO është në Kosovë dhe kujdeset për të gjithë pa dallim, këtë Vuçiq e di fare mirë.
Është shqetësuese fakti që kemi një luftë mes Rusisë dhe Ukrainës, luftë kjo kusherinjësh, sepse po ndodh në Evropë, pra ky është shqetësimi për botën demokratike, andaj ka përgatitje, preventive dhe jo deklarata propaganduese të Vuçiqit”, ka theksuar ai.
Gjithashtu, Dashevci ka nënvizuar se praninë e NATO-s dhe kampin Bonsteel, të cilat e sigurojnë paqe dhe nuk ka shqetësime për sigurinë.
“Kosova ka NATO-n këtu dhe nuk ka shqetësime të sigurisë te ne.
SHBA-të me kampin Bonsteel janë këtu dhe nuk ka shqetësime për ne.
Janë zotime të Presidentit Trump që nuk lejon konflikt asesi dhe kjo na qetëson si shtet.
Kemi institucionet e sigurisë/mbrojtjes të përgatitura dhe me kapacitete të plota, por duhet vigjilencë si kurrë më parë, sepse kemi të bëjmë me Serbinë dhe establishment-in e kontaminuar atje.
Preventiva në këto kohë të turbullta të sigurisë globale nuk ka alternativë”, ka nënvizuar ai.
Në fund, Dashevci ka dhënë mesazhin se, duhet shmangur çdo provokim ndaj luftës hibride që po zhvillon Serbia, ku edhe deklaratat e presidentit Vuçiq janë pjesë e kësaj lufte.
“Vetëm duhet shmangur çdo provokim kundrejt luftës së egër hibride që po e zhvillon Serbia, sepse me deklaratën e atij presidenti atje shfaqet ajo lufta hibride. Thjesht deklarata e tij është pjesë e luftës hibride, gjithmonë duke u bazuar në faktin që nuk ka përkrahje askund, as në vendin e tij dhe as në arenën ndërkombëtare”, ka përmbyllur Dashevci.