“SHIK-u i tregonte si të vepronte me Rugovën”/ Akuza e rëndë ndaj Thaçit: Vrasjet nuk janë bërë pa dijeninë e tij

Profesori dhe doktori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Enver Bytyçi, në një prononcim për “Bota sot” ka thënë se ajo që po ndodh me dëshmitarët mbrojtës të Hashim Thaçit në Gjykatën Speciale të Kosovës në Hagë, është vërtet një skandal i pamenduar dhe ndoshta unik në rastin e proceseve gjyqësore të këtij lloji.

“Ata dëshmitarë që kanë folur deri tani, duke filluar me James Rubin dhe deri te ish-zëvendës shefi i UNMIK-ut, kanë deformuar karakterin dhe personalitetin e të akuzuarit, Hashim Thaçi. Thelbi është se në Gjykatën e Hagës po mohohet se ‘Hashim Thaçi ka qenë udhëheqës politik ose ushtarak, apo politiko-ushtarak i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës’! Po flitet se ai ‘nuk ka pasur rol’, ‘nuk është përfillur nga komandantët e UÇK-së’, ‘nuk ka pasur kompetenca’, ‘ka qenë për kompromis’, pra nuk ka qenë i dhunshëm. Madje edhe se ‘ka qenë udhëheqës civil’, duke shënuar faktin se Hashim Thaçi krijoi një qeveri të përkohshme dhe u vetëquajt kryeministër”, thotë Bytyçi.

Sipas tij, nga dëshmitë në Speciale po lindin shumë dilema dhe paqartësi që lidhen me Hashim Thaçin.

“Thaçi e krijoi qeverinë e përkohshme në prill 1999, para se Kosova të çlirohej. Si mund të zgjidhet dikush kryeministër i një qeverie, qoftë kjo edhe e përkohshme, kur ai ‘nuk përfillej nga komandantët’?! Duhet sqaruar gjithashtu kush i shkroi dhe i urdhëroi të shpalleshin komunikatat e ekzekutimit të kundërshtarëve politikë, përfshirë presidentin e vendit, Dr. Ibrahim Rugovën! Dhe më tej akoma, a ishte qëllimi që bashkë me Rugovën të likuidohej pavarësia dhe shtetësia e Kosovës, pasi që Rugova nuk bënte kompromise, ndërsa Hashim Thaçi i bënte kompromiset, gjë të cilën e dëshmuan dëshmitarët e tij?!”, shprehet Bytyçi.

Siç thotë Bytyçi, tani opinioni publik ka mundësinë të gjykojë vetë se cili është Hashim Thaçi i vërtetë.

“Nuk ka dy pamje të tij, një para luftës dhe një tjetër pas luftës e në qeverisje. Hashim Thaçi ka qenë i njëjti si në luftë edhe pas luftës. Ka synuar pushtetin. Ka shfrytëzuar luftën për marrjen e pushtetit. Ai ishte gati të reagonte me armë, kur Rugova i fitoi bindshëm zgjedhjet lokale të vitit 2000 dhe ato të përgjithshme të vitit 2001. Sepse kishte objektiv marrjen dhe ushtrimin e pushtetit me favore për veten dhe klanin e tij. Ai nuk e kishte menduar se një ditë mund të gjendet në një gjendje çfarë është sot. Liderët autoritarë marrin përsipër çdo lloj iniciative. Këtë bëri Thaçi”, shton Bytyçi.

Më tej, ai thotë se Thaçi deshi ta ndante Kosovën përmes korrigjimit ose rishikimit të kufijve me Serbinë.

“Ishte kulmi i kompromiseve të tij në favor të projekteve serbe dhe ruse në Kosovë. Thaçi shkoi në qershor 1999 dhe ndihmoi KFOR-in francez që të vendoset te Ura e Ibrit dhe ta ndante de facto Kosovën. Nuk po radhis fakte të tjera. Ju thoni se tani në Hagë po mohohet roli i Thaçit si komandant i UÇK-së, ndërkohë që ai është mburrur me këtë rol gjatë gjithë kohës deri më sot. Po kjo është e vërtetë. Ai është mburrur kur ishte i lirë dhe po e mohon pjesëmarrjen e tij në luftë, thjesht për t’i ikur përgjegjësisë për ato që ai akuzohet në Hagë. Madje ka sponsorizuar dikur edhe deklarime të ndonjë personaliteti apo publicisti si ajo ‘Thaçi është për Kosovën siç ishte George Washingtoni për Amerikën’! Tani po na thotë se ‘nuk jam George Washingtoni i Kosovës’! Një kundërthënie e pamenduar më parë. Po ja që kemi edhe të tilla raste, të cilat shtojnë rastet specifike të studimeve politike. Hashim Thaçi po mohon vetveten. Në fakt është po ai që ka qenë, mashtrues, falsifikator, uzurpator, siç ishte kur e shpalli veten në kohën e luftës si kryeministër i Kosovës”, shpjegon Bytyçi.

Bytyçi thotë se vrasjet politike në Kosovë nuk janë bërë pa dijeninë e Hashim Thaçit.

“Edhe diçka tjetër! E kam shkruar edhe më parë. Thaçi ishte i kompromisit me ndërkombëtarët, ndërkohë që ishte radikal dhe hakmarrës ndaj kundërshtarëve politikë. Askujt nuk duhet t’i shkojë mendja se likuidimet fizike dhe linçimet politike janë bërë pa dijeninë e tij. Se listat e likuidimeve dhe dënimeve në emër të UÇK-së nuk kanë vulën e tij. Pse e them këtë? Luftën e brendshme politike Thaçi e ka zhvilluar sipas instruksioneve bolshevike e terroriste të Fatos Klosit. Dikush shkruan dhe thotë se ai ishte me armë në dorë në Kosovë. Po. Por 90 për qind të kohës ka qëndruar në “Rogner” të Tiranës nën shoqërinë e SHIK-ut të Shqipërisë. Ky SHIK e udhëzonte se si ai duhej të vepronte dhe të hakmerrej kundër Rugovës. Ishin liderët e Shqipërisë, vetë presidenti i kohës, që e shpallën Rugovën ‘tradhtar’, dhe në kohë lufte propaganda për ‘tradhti’ dihet se shoqërohet me vendime ekzekutimi fizik. Thaçi po ashtu e konsideroi Rugovën tradhtar dhe e nderoi pasi ai ndërroi jetë. Ky është Hashim Thaçi. Ndërkohë që e nderoi, pagoi nja dy mercenarë të shkruanin librin, ku denigrohet Rugova”, deklaron Bytyçi.

“Lavdia dhe pushteti ishin ëndrrat e Hashim Thaçit dhe këto ia injektuan në Tiranë, si edhe ‘trimat’ e Lëvizjes Popullore të Kosovës në Perëndim. Janë këta që përgatitën Hagën për njeriun që e sponsorizuan dhe e mbuluan me mentalitet dhune. Tani, për të shpëtuar nga ndëshkimi, hiqet si ‘njeri i paqes’! Po Thaçi ishte njeri i kompromisit me ndërkombëtarët, madje edhe me Aleksandër Vuçiq, Ivica Daçiq e të tjerë liderë të Serbisë. Por nuk ishte njeri i kompromisit me kundërshtarët e vërtetë politikë. Brenda vendit bëri kompromise në dukje vetëm me ata kundërshtarë politikë, të cilët i përuleshin Thaçit edhe kur ky ishte vartës i tyre!”, shton profesor Bytyçi.

“Aq ‘paqësor’ ishte Hashim Thaçi, sa mbante në xhep lista me emrat e profesorëve dhe, kur donte t’i largonte nga puna, pyeste rektorët nëse ata i kishin të punësuar apo jo! Në këto lista ishin profesorët kritikë të tij dhe ai kujdesej që të largoheshin nga sistemi mësimdhënës! Deri në këtë pikë shkonte ‘kompromisi’ dhe ‘toleranca e tij’ brenda kuadrit të shoqërisë në Kosovë!”, përfundon profesor, doktor Enver Bytyçi për gazetën “Bota sot”.

Kujtojmë se në Gjykatën Speciale ka nisur faza e dytë e gjykimit të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, ku tani radhën e kanë dëshmitarët e mbrojtjes.

Tre prej dëshmitarëve kryesorë që janë dëgjuar deri më tani janë: James Rubin, John Stewart Duncan dhe James Covey, të cilët kanë tentuar të heqin çdo përgjegjësi që Thaçi kishte mbi UÇK-në.

Sipas tyre, Hashim Thaçi nuk ishte komandant i përgjithshëm i UÇK-së dhe se nuk kishte asnjë kontroll mbi UÇK-në, ndryshe nga ajo që ka proklamuar Thaçi tash e 25 vite që nga përfundimi i luftës.