Zgjedhjet në Prishtinë nuk janë vetëm garë komunale, por test kombëtar. Kryeqyteti gjithmonë ka qenë matës i pulsit politik në Kosovë, prandaj beteja mes kryetarit aktual Përparim Rama dhe sfiduesit nga Vetëvendosje, Hajrulla Çeku, ka një peshë shumë më të madhe se kufijtë e Prishtinës.
Rama erdhi me imazhin e arkitektit vizionar, me fjalë të bukura për një Prishtinë moderne. Por, mandati i tij është shoqëruar me kritika për menaxhim të dobët dhe mungesë vendimmarrjeje. Disa projekte kreative nuk mjaftuan për të mbuluar kaosin urban, mbeturinat e rrugët e bllokuara. Në sytë e një pjese të qytetarëve, Rama mbetet më shumë “artist i idesë” sesa menaxher i realitetit.
Çeku, në anën tjetër, hyn në garë me përvojë ministrore dhe përkrahjen e fuqishme të Vetëvendosjes. Ai shihet si menaxher më i disiplinuar dhe alternativë për ndryshim. Por pengesa e tij është perceptimi se mund të jetë vetëm zgjatim i linjës së Albin Kurtit dhe jo një lider i pavarur për Prishtinën. Dilema e qytetarëve është e thjeshtë: a do të zgjedhin vazhdimësinë e një kryetari që ende nuk i ka bindur me rezultate, apo do të përqafojnë ndryshimin që ofron Vetëvendosje? Gara pritet të jetë e ngushtë. Rama ka avantazhin e postit dhe të njohjes, por mban mbi supe barrën e pakënaqësive. Çeku ka energjinë e partisë më të madhe në vend, por duhet të fitojë besimin e shtresës urbane që gjithmonë përcakton fituesin në Prishtinë.
Prandaj, këto zgjedhje do të jenë më shumë se duel mes dy emrave – ato do të tregojnë se cili vizion për kryeqytetin ka mbështetjen e qytetarëve: ai i “arkitektit vizionar” apo i “menaxherit disiplinuar”.