Kosova nuk bie në ‘kurthin’ e Vuçiqit, eksperti: Retorika e luftës, lojë për të fshehur krizën në…!

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë të shtunën se “thirrjet e pamatura” të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq për luftë janë jehonë e rrezikshme e kapitujve më të errët të historisë së kohëve të fundit.

Ajo i është referuar një deklarate të presidentit serb të bërë të premten, kur ka thënë se “të gjithë po përgatiten për luftë” dhe se Kosova po “përpiqet ta përdorë këtë kohë para luftës” për t’i bindur shumicën e shteteve evropiane dhe vendet e NATO-s t’ia mbajnë anën Prishtinës.

E në lidhje me kërcënimet e Vuçiqit dhe se çfarë fshehet pas tyre, për “Bota sot” foli eksperti i gjeopolitikës, Lutfi Bilalli.

Së pari, ai tha se kjo është një tendencë e hapur kërcënuese e Vuçiqit ndaj Kosovës.

Sipas tij, këto deklarata të presidentit serb lidhen me dy çështje, e të cilat i sqaroi si mëposhtë.

“Deklaratat e Vuçiçit se “të gjithë po përgatiten për luftë” dhe se Kosova po “përpiqet ta përdorë këtë kohë para luftës” tregojnë hapur tendencën agresive dhe kërcënuese ndaj Kosovës.

Mendoj që pohimet e tilla nga ana e Vuçiçit vënë në pah dy tendenca që lidhen me:

1. Ndryshimet gjeopolitike në rrafshin ndërkombëtar: Serbia po përcjell me interes të shtuar forcimin e poltizës aziatike kinezo-ruse, dhe, varësisht nga influenca globale e këtij poli, Serbia ngre tonin e kërcënimeve ndaj Kosovës.

2. Retorika dhe fryma militariste serbe tenton të godasë psikologjikisht opinionin në vendet fqinje (Kosovën, Bosnjën dhe Hercegovinën), duke synuar të sjellë panik për skenarë të mundshëm lufte si në vitet e ’90-ta”, deklaroi ai.

Krahas kësaj, Bilalli theksoi se, përmes deklaratave të tilla, Vuçiq po synon ta tërheq vëmendjen nga protestat në Beograd dhe ta kthejë fokusin e opinionit drejt Kosovës.

“Mendoj që deklaratat e Vuçiçit kanë për qëllim edhe nevojën për stabilitet brenda vetë Serbisë; mbase në këtë kohë aty kemi valë protestash anti-Vuçiç. Me këto deklarata të “nxehta” — se “të gjithë po përgatiten për luftë” — Vuçiç tenton të mobilizojë opinionin: “serbët duhet të jenë të bashkuar sepse jemi në prag lufte”. Kjo është karta me të cilën po luan Vuçiç për të zbehur frymën e protestive”.

Ndër të tjera, eksperti potencoi se, Kosova duhet të jetë e përgatitur ndaj skenarëve të Serbisë, derisa nënvizoi faktin se është i domosdoshëm bashkëpunimi me SHBA-në.

Ndërsa, në aspektin ushtarak, ai kishte disa sugjerime për institucionet e vendit.

“Kosova duhet të jetë e përgatitur për çdo skenar të mundshëm dhe të jetë aktive rreth doktrinës mbrojtëse (forcim dhe investim në kapacitetet ushtarake). Është urgjente, në prizmin e rreziqeve gjeopolitike rajonale dhe ndërkombëtare, që Kosova së bashku me Shqipërinë të zhvillojë lobim të fortë me SHBA-në dhe partnerët e tjerë në kuadër të NATO-s për ndihmë dhe bashkëpunim ushtarak (furnizim me armë të nevojshme për t’u kundërpërgjigjur Serbisë). Doktrina ushtarake e Kosovës duhet të përpilojë dy anët e strategjisë: atë mbrojtëse për mbrojtjen e integritetit territorial të Republikës së Kosovës, dhe atë ofensive për mbrojtjen e interesave të shqiptarëve në Kosovën Lindore”, përfundoi Lutfi Bilalli për “Bota sot”.