– Të flas pak për dashurinë, për xhelozinë, për dialogun… apo për opozitën?
– Për Albin Kurtin, për paqen në botë, apo ndoshta për melankolinë…
për vajzat e djemtë e varfër që s’mund të ikin nga Kosova?
– Për shpresën e humbur, apo për shpirtin?
– T’ju tregoj pse s’jemi të lumtur?
– Apo të flas për lutjen që shëron mendjen, e për bestytninë e unazës së humbur?
– Ndoshta për çmimet dhe absurdin…
për artin pa publik…
apo për aktorin që u varros si kryehoxhë me dhjetë hoxhë,
pasi kori i burrave këndoi Sinatrën ‘I did it my way’…
anipse feja e ndalon aktrimin, e konsideron shtirje.
– Anipse, s’ka ‘I did it my way’ me fe…
Zoti e shkruan rrugën tënde, e jo ti.
(Jo, këtë temë s’e dua…po e tërheq. Zgjidhni një tjetër).
– Për pangopësinë, a doni…
për krijimin e bukurisë me thikë.
– Për atë se si e kemi harruar qetësinë e shpirtit…dhe që kur nuk ekziston qetësia, ajo e shkatërron çdo bukuri.
– Për zgjedhjet lokale… s’besoj se dëshironi t’ju flas.
Ato i ka pushtuar apatia, sepse ne jemi veç për tema qëndrore…për tema të mëdha.
– Dëshironi të flas pak për ambasadorin italian, që ka filluar të ndjehet i gjallë, e t’u japë leksione partive shqiptare…
Oh, Maurizio.
– Lakmi po i merr edhe ai suedez…ka filluar të shpurdh ngapak.
– Dëshironi t’ua përshkruaj se si do të ishte dukur ambasadori i Kosovës në Izrael nëse do t’i mbledhte partitë atje e t’u tregonte si të vepronin?
– Apo t’u pëshpëriste në vesh gjyqtarëve, siç bëjnë ambasadorët e huaj në Kosovë!
(Kjo temë bajate, shpresoj se nuk e zgjedhni).
– Apo doni një parodi nga unë për dialogun me Serbinë:
atë që e vajton opozita, e qajnë se ka vdekur klinikisht….
T’ju tregoj se duke dashur ta ‘mbysin’ politikisht Albin Kurtin padashje e ngjallin Millosheviçin nga varri, a çka…
sepse nuk e shohin Kosovën të ndarë nga Serbia?
– Për ta s’bën pa bla-bla me Vuçiçin.
– E shohin Kosovën pa Serbi…, por duan të çlirohen nga Albin Kurti, e kur e humb njeriu pushtetin e humb shpirtin.
– Çka doni nga unë?
Unë jam e ngrohtë, mund t’ju flas pak edhe për romantikë.
– Mund ta mashtroj kë të dua, por nuk e praktikoj.
– Nëse doni, mund ta përqesh pak edhe vetveten?
T’ju tregoj se si një ditë, një punëtore krahu ma bëri tetë me dy, me një leksion të saj për politikë?
– Apo t’ju tregoj drejt se si ndjehem unë pak para perëndimit të diellit, kur ndalen dritat e qiellit…
Se si s’më pëlqen askush dhe gati gjithmonë e aktroj mirësjelljen!
– Kam shumë vese, zgjedhni cilat doni t’ua zbuloj!
– Nga të gjitha temat, mos e zgjedhni dëshminë e zëvendësit të Kushnerit në Hagë…
Më mërziti kur tha se Rugova vuante nga ‘depresioni klinik’.
– Ishte shpirt poeti…E tash shqiptarët vuajnë me bark e jo me shpirt…vuajnë për ‘miluna’!
(Për këtë temë nuk pranoj të flas, se kjo temë zbulon se kam ndjenja më shumë seç dua t’i shfaq).
– Çka doni tjetër?
Zgjedhni, nëse dini të zgjidhni, se unë, për vete, nuk kam ditur kurrë…
P.S. Vërejtje: Komentet “Të duam ty për darkë!” janë të ndaluara.
Zgjidhni një temë tjetër… ose fantazoni pak më thellë.