Vuçiq: Lufta po vjen, ne jemi këtu por rusët janë pas perdes

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, me rastin e deklaratës së presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila bëri thirrje që Evropa të ndalë taktikat destabilizuese të Serbisë, theksoi se “askush nuk e dëgjon më këtë”, por paralajmëroi se Prishtina “do të vazhdojë me përndjekjen e popullit serb dhe me provokime, me qëllim që të shfrytëzojë situatën aktuale në nivel global dhe të bindë shumicën e vendeve të NATO-s dhe BE-së që të jenë në anën e saj, dhe kundër Serbisë”.

„Askush nuk e dëgjon më këtë. Siç gënjyen për ato dronët, njerëzit qeshin me ta. Mund të gënjesh një herë, dy herë, por të tretën herë nuk mund ta mashtrosh më askënd. Askush nuk e dëgjon më këtë. Nuk ka ndonjë filozofi të madhe aty“, ka thënë Vuçiqi duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve.

Presidenti i Serbisë ka pretenduar se Kosova “do të vazhdojë me përpjekjet për përndjekjen e popullit serb dhe me provokime, sepse nuk kanë ndonjë politikë tjetër, duke pritur që të shfrytëzojnë”, siç u shpreh ai, këtë kohë para-lufte.

„Unë flas hapur për këtë, sepse lufta po vjen. Ata duan të shfrytëzojnë mundësinë e tyre që të kenë shumicën e vendeve të NATO-s dhe evropianëve kundër Serbisë. Ne nuk do t’ua japim këtë mundësi“, ka thënë Vuçiqi.

Ai gjithashtu ka thënë se “në të gjithë botën ka kolaps të plotë dhe kaos, dhe se do të bëhet gjithnjë e më e vështirë kudo, përfshirë edhe Serbinë”.

„Njerëzit duhet ta dinë se të gjithë po përgatiten për luftë. Dhe nëse po përgatiten, atëherë ajo edhe do të ndodhë. Shoh se sa shumë po përgatiten të gjithë për luftë, për asgjë tjetër nuk po përgatiten. Askush nuk po përgatitet për bisedime, të gjithë vetëm duan të dinë kush është në cilën anë, ndërsa hapin llogoret e tyre dhe presin fillimin e luftës. E dinë se lufta po vjen sidoqoftë, vetëm po e presin dhe mos të gënjejnë se nuk po e presin. E presin dhe po përgatiten për të“, ka pretenduar Vuçiqi, duke shtuar se „Ne jemi këtu, rusët janë pas perdes. Kush është këtu, është me ne, kush nuk është, është kundër nesh“.