Historia e biçikletës që u vodh në Zvicër, shkoi në Kosovë dhe u konfiskua në Shqipëri

Një rast i çuditshëm ka ndodhur së fundmi në Basel.

Televizioni publik SRF, ia ka kushtuar një artikull një biçikletës që bëri ‘rrugë’ mijëra kilometra, nga Zvicra në Kosovë, e që më pas në Shqipëri, në mënyrë jo të zakonshme.

Biçikleta në fjalë u vodh para gjashtë muajsh në shtetin zviceran, nga personat që dyshohet se janë të varur nga droga.

Sipas artikullit të SRF-së, ka një numër të madh rastesh kur personat e varur nga substancat narkotike, sidomos nga kokaina, veprojnë në mënyrë të tillë që vjedhin biçikletat elektrike ose ato “Velo”, për të siguruar dozën e nevojshme.

Televizioni publik zviceran e kishte organizuar përcjelljen e kësaj biçiklete me GPS, dhe pas një kohe kishin nisur kërkimet për të parë se ku ka përfunduar “Velo”.

Pas vëzhgimit disa mujor, u kuptua se ajo ishte sjellë në Kosovë, e nga aty ishte dërguar në Shqipëri ku edhe u gjet te një person privat.

Tashmë, policia shqiptare e ka konfiskuar të njëjtën dhe ka hapur edhe një rast për të kuptuar nëse mjeti rrjedh nga aktiviteti kriminal, transmeton Klankosova.tv.

Por, ky rast është vetëm njëri nga shumë të tjera, ku biçikletat elektrike zvicerane përfundojnë në Shqipëri, sipas SRF.

Edhe vetë autoritetet zvicerane e pohojnë se kohët e fundit janë rritur rastet e vjedhjes së biçikletave elektrike dhe atyre “Velo”, nga ana e konsumuesve të drogës.

Vlera e këtyre mjeteve kap shumën e mijëra frangave, por që personat e varur nga kokaina i shesin ato për 100 deri në 150 franga.