FIFA ‘godet’ FSHF-në para ndeshjes me Serbinë

Federata Shqiptare e Futbollit e ka pësuar sërish nga FIFA. FSHF-ja njofton se është vendosur gjobë 10 mijë franga (përafërsisht 10,600 euro) për incidentet në sfidën me Letoninë, ndërsa ky vendim do të apelohet.

Njoftimi i FSHF-së:

“Komisioni i Disiplinës i FIFA-s ka vendosur të gjobisë Federatën Shqiptare të Futbollit me 10 mijë franga zvicerane, për incidente të ndodhura jashtë stadiumit “Air Albania” gjatë ndeshjes Shqipëri – Letoni, më 9 shtator 2025, në kuadër të eliminatoreve të Botërorit 2026.

FSHF bën me dije se do ta apelojë këtë vendim në instancat përkatëse të FIFA-s dhe ka nisur procedurat ligjore.

Federata u bën thirrje tifozëve që në ndeshjet e ardhshme të tregojnë qytetari dhe të mbështesin Kombëtaren pa shkaktuar situata që dëmtojnë imazhin dhe interesat e saj. Po ashtu, kërkojmë bashkëpunim të plotë nga institucionet e rendit për të siguruar që çdo sfidë të jetë një festë futbolli”.