Pas akuzave të bëra publike nga Shqipe Hysenaj, e cila e sulmoi këngëtaren Parashqevi Simaku duke thënë se “u merrte burrat grave të tjera”, ka ardhur më në fund reagimi i artistes.
Në një postim të gjatë në rrjetin social Facebook, Simaku shprehet se ka qëndruar e heshtur për rreth 10 muaj, pavarësisht sulmeve dhe shpifjeve të vazhdueshme, por tashmë ka vendosur të flasë. “Prej 10 muajsh, emri im është përdorur si tabelë qitjeje nga njerëz që përpiqen të tërheqin vëmendje përmes shpifjeve dhe të pavërtetave. Asnjëherë nuk e kam menduar se do të më duhej të reagoja për gjëra kaq të ulëta”, shkruan ajo.
Artistja kujton edhe periudhat e viteve ’80, kur sipas saj përballej me të njëjtën klimë zilie dhe mllefi, për shkak të çmimeve që fitonte me përkushtim dhe punë të madhe. “Edhe atëherë, si sot, zgjodha të mos ndalem”, thekson ajo.
“Unë vazhdoj rrugën time me dinjitet dhe të vërtetën në krah. Publiku im më njeh prej vitesh dhe e di shumë mirë kush jam, çfarë kam dhënë dhe çfarë përfaqësoj. Nëse për disa klikime zgjedh të ulësh dikë tjetër me shpifje, jini të sigurt se në atë moment e ulni vetëm veten”, përfundon reagimin Simaku.