Bytyçi: Osmani është e respektuar për të gjithë lidershipin amerikan dhe europian
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë vizitës së saj në Shtetet e Bashkuara në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, ka zhvilluar një takim të veçantë me ish-presidentin amerikan Donald Trump.
Takimi, i cili fillimisht ishte planifikuar në kuadër të protokollit, sipas Osmanit u shndërrua në një bisedë të gjatë dhe substanciale.
Osmani falënderoi Trump për interesimin që ka treguar për Kosovën, duke theksuar se roli i SHBA-së ka qenë vendimtar për lirinë dhe pavarësinë e vendit.
“Aleanca me Shtetet e Bashkuara mbetet boshti i pathyeshëm mbi të cilin ndërtohet e ardhmja e Kosovës,” deklaroi Osmani pas takimit.
Po ashtu, gjatë vizitës së saj në SHBA, Presidentja Osmani ka zhvilluar edhe një sërë takimesh me përfaqësues të lartë amerikanë në fushën e diplomacisë, mbrojtjes dhe ekonomisë, me qëllim forcimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe avancimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës.
E sipas profesorit dhe doktorit të marrëdhënieve ndërkombëtare, Enver Bytyçit, kjo vizitë dhe takim është edhe një sukses i Osmanit.
“Çdo president, edhe zonja Osmani, kanë shkuar dhe shkojnë vazhdimisht në New York në kohën që hapet Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara. Në këtë traditë veproi edhe presidentja Osmani. Madje edhe kryeministri Kurti dhe ministrja Gërvalla. Por presidentja pati një agjendë më të ngjeshur dhe më të plotë. Kulmi i aktivitetit të presidentes Osmani ishte takimi për foto dhe biseda me presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump. Nuk është hera e parë as e fundit që zonja Vjosa takohet me kreun e Shtëpisë së Bardhë. Por sa më shumë herë të takohet ajo me Trump, aq më shumë presidenti amerikan do të kujtojë se Kosova është shtet sovran dhe i pavarur. Mjafton kjo dhe prezenca e Vjosa Osmanit në pritjen e Trump të shënojë sukses të plotë”, shprehet Bytyçi.
ImageEnver BytyçiFoto galeri
“Megjithatë presidentja jonë pati jo vetëm takime, jo vetëm foto, jo vetëm selfie, por edhe biseda të rëndësishme me përfaqësuesit e botës demokratike dhe të SHBA-ve në kuadër të Asamblesë së OKB-së. Me presidentin Trump, si asnjë lider tjetër, ajo bisedoi disa minuta. Dhe ata minuta janë orë të tëra, sepse është prezantuar Kosova dhe sfidat e saj, nevojat që ajo ka për mbështetjen e SHBA-ve. Më tej akoma, zonja Osmani është takuar me senatorë dhe me sekretarin e Shtetit Amerikan, Marco Rubio, me të cilët ka biseduar më hollësisht temat e bashkëpunimit dhe prezencës amerikane në Kosovë. Dhe kjo është shumë e rëndësishme për shtetin më të ri të Europës”, nënvizon profesor Bytyçi.
Më tej, Bytyçi shton se Kosova është nën presionin e zhvillimeve gjeopolitike të shkaktuara sidomos nga agresioni rus në Ukrainë.
“Edhe sikur presidentja, kryeministri dhe zonja Gërvalla të mos kishin biseduar me askënd, vetëm prezenca e tyre, përshëndetjet me liderë dhe përfaqësues të vendeve të ndryshme dhe autoritetet amerikane, do të duhej konsideruar sukses në kushtet në të cilat Kosova sot ndodhet. Kosova është nën presionin e zhvillimeve gjeopolitike të shkaktuara sidomos nga agresioni rus në Ukrainë. Pozicionimi i Kosovës në krah të SHBA-ve dhe Europës duhet bërë publik dhe i njohur vazhdimisht. Sepse ndryshe askush nuk do të kujtohet për Kosovën. Prandaj dhe presidentja ka një rol dhe ka luajtur si violinë e parë në këtë aspekt”, thekson Bytyçi, sipas të cilit, momenti është shumë kritik.
“Unë shpresoj se gjithçka do të shkojë në favor të paqes dhe sigurisë në Europë. Pra se Rusia do ta humbë luftën. Por nëse ndodh e kundërta, atëherë Kosova rrezikohet. Për këtë arsye duhet vepruar, duhen takime, duhet prezencë e shtuar dhe madje duhet folur shumë për nevojën e bashkëpunimit me SHBA-të, sidomos në fushën e sigurisë, mbrojtjes dhe bashkëpunimit ekonomik. Për bashkëpunimin ekonomik zonja Osmani ishte pjesë edhe e një takimi informal me ambasadorin Grennell. Unë e di se Grennell ka orientim pro Serbisë. Por është shumë më keq t’i injorosh takimet dhe iniciativat e tij, sesa të bëhesh pjesë e tyre”, thotë Bytyçi.
Ai thekson se presidentja Osmani është e respektuar për të gjithë lidershipin amerikan dhe europian.
“Ndërkohë presidentja e Kosovës ka dëshmuar se është e aftë të komunikojë në mënyrë konçize e të thotë në tri minuta atë që duhet thënë në dobi të vendit të saj, aftësi që nuk e kanë shumica dërmuese e liderëve. Ajo është e respektuar për të gjithë lidershipin amerikan dhe europian, aq sa ka fituar stigmën “Presidentja ime e preferuar”! Është fat për Kosovën që ka një presidente, të cilën me kënaqësi e pret qoftë dhe në takime të shkurtra presidenti i vendit më të fuqishëm të botës, Donald Trump. Të tjerë liderë të rajonit janë lodhur dhe kanë paguar qimet e kokës për një foto me Donald Trump, por nuk kanë mundur ta realizojnë këtë. Vjosa Osmanit ia japin të gjithë respektin falas, pa pasur nevojë që ajo të shtiret. Ajo hyn në pritjet e Trump dhe kancelarive të tjera nga dera e madhe, ku shtrohet tapeti i kuq dhe jo nga dera e haurit!”, thekson Bytyçi.
“Edhe sa i përket asaj që thuhet ose është njoftuar se SHBA-të kanë pezulluar fillimin e bisedimeve për bashkëpunimin strategjik me Kosovën duhet marrë si shuplakë politike për të gjithë spektrin politik. Sepse të gjithë janë fajtorë që nuk gjejnë një gjuhë të përbashkët që të formojnë institucionet e shtetit. Nganjëherë edhe vëllai lodhet duke të këshilluar për diçka dhe një ditë thotë “Bëj çfarë të duash, se më lodhe”! Kështu do të ndodhte edhe në këtë rast. Duhej konsensus për krijimin dhe funksionimin e institucioneve të shtetit. Shteti nuk vihet në diskutim as në pikëpyetje. Ai politikan që e bën këtë, ai nuk ka as moral, as është patriot, por thjesht respekton interesin e tij personal. Duhet marrëveshje. Duhet bashkëpunim. Duhet ujdi. Pa ujdi shtëpia shkatërrohet. Nuk meritonte Kosova këtë gjendje. E kam thënë se përgjegjës nuk është Albin Kurti sa është opozita, e cila deri tani ka vepruar gati njësoj si Lista Srpska!”, përfundon profesor, doktor Enver Bytyçi.