Arrestimi i dy serbëve në Koshare, eksperti i sigurisë tregon mesazhin

“Ky është një paralajmërim se Kosova nuk do të lejojë skenarë të provokimeve të tipit hibrid, të cilat shpesh përdoren nga Beogradi”, thotë Shala.
Eksperti i sigurisë, Drizan Shala, në një prononcim dhënë gazetës “Bota sot”, thotë se arrestimi i dy personave serbë në zonën e Koshare­s, ku njëri prej tyre rezulton të jetë ushtar aktiv i Serbisë, është një ngjarje që tejkalon dimensionin e një incidenti të zakonshëm kufitar.

“Ky është një zhvillim me rëndësi strategjike që përçon disa mesazhe të fuqishme, si në aspektin e brendshëm ashtu edhe në atë rajonal dhe ndërkombëtar. Para së gjithash, ky rast tregon qartë profesionalizmin dhe vendosmërinë e Policisë së Kosovës, në veçanti të Njësisë për Reagim të Shpejtë të Policisë Kufitare. Duke vepruar me efikasitet dhe duke identifikuar në kohë reale këtë ndërhyrje të paligjshme, policia ka dëshmuar se është në gjendje të garantojë sigurinë e kufijve dhe të mbrojë sovranitetin e vendit. Kjo është dëshmi e fuqisë së institucioneve tona të sigurisë dhe një garanci për qytetarët se territori i Kosovës nuk mbetet i pambrojtur”, thotë Shala.

Sipas tij, në nivel rajonal, mesazhi i këtij arrestimi është i qartë për Serbinë.

“Tentativa për të testuar kufijtë e Kosovës, për të futur elementë të saj ushtarakë ose për të sfiduar autoritetin e shtetit të Kosovës, nuk do të tolerohen. Çdo lëvizje e tillë do të neutralizohet me vendosmëri dhe në kohë reale. Ky është një paralajmërim se Kosova nuk do të lejojë skenarë të provokimeve të tipit hibrid, të cilat shpesh përdoren nga Beogradi për të ushtruar presion politik dhe për të krijuar pasiguri në terren”, shprehet Shala.

Siç thotë Shala, ky rast përçon një sinjal shumë të rëndësishëm edhe për partnerët ndërkombëtarë të Kosovës, veçanërisht për aleatët e saj në NATO dhe Bashkimin Evropian.

“Ai dëshmon se Kosova është një aktor i përgjegjshëm në arkitekturën e sigurisë së rajonit të Ballkanit Perëndimor, dhe se institucionet e saj kanë aftësinë për të menaxhuar situata të ndjeshme në zonat kufitare. Kjo i jep më shumë kredibilitet Kosovës në proceset e integrimit euroatlantik dhe e pozicionon atë si një faktor stabiliteti në rajon”.

“Duhet theksuar edhe simbolika e veçantë e vendit ku ndodhi ky arrestim – Koshara. Ky është një emër i lidhur ngushtë me luftën për liri të Kosovës dhe me sakrificën e shumë luftëtarëve që dhanë jetën për të mbrojtur kufijtë e atdheut. Arrestimi i dy personave serbë pikërisht në këtë zonë, ku njëri është ushtar aktiv i Serbisë, e bën mesazhin edhe më të fuqishëm: kufiri i Kosovës është i paprekshëm dhe çdo tentativë për ta cenuar do të marrë përgjigjen e merituar”, shpjegon Shala.

“Prandaj, ky nuk është vetëm një sukses policor, por një deklaratë e qartë politike dhe kombëtare: Kosova është shtet sovran, i aftë të mbrojë territorin e saj, dhe i vendosur të mos lejojë askënd të sfidojë integritetin territorial e sigurinë e saj”, përfundon për “Bota sot”, eksperti i sigurisë, Drizan Shala.

Kujtojmë se ditë më parë, Policia e Kosovës, përkatësisht Njësia për Reagim të Shpejtë (NJ.R.SH) e Policisë Kufitare në Ponashec, ka arrestuar dy serbë në Koshare, ku njëri nga ta është edhe ushtar aktiv në Serbi.

Gjatë kontrollit, dy serbëve të cilët janë babë e bir, u janë gjetur uniforma, simbole nacionaliste, emblema të ndryshme të Serbisë dhe iu është konfiskuar edhe vetura me të cilën po lëviznin.