Rama: Kosova t’i kryejë detyrat e veta – Serbia kurrë mos i bëftë!

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka folur me tone të forta dhe të pa kompromis për raportin mes Kosovës dhe Serbisë, për dialogun, për Gjykatën Speciale dhe për idenë e bashkimit kombëtar.
Ai në emisionin “Jehona Politike” në klankosova shprehu mendimin se Kosova duhet të ecë përpara pa u marrë parasysh çfarë pretendohet nga Beogradi, sepse – sipas tij – me këtë mendësi nuk mund të ndërtohet paqja, transmeton lajmi.net.

Rama filloi me një reflektim të thellë: “Për mua, Kosova nuk ka fare lidhje me Serbinë dhe se Kosova nuk duhet ta ketë fare parasysh Serbinë në rrugën e vet, pasi… ‘për mua, Kosova e ka fituar luftën por duhet ta fitojë paqen’.” Sipas tij, paqja nuk vjen me dialog në formulë reciproke nëse pala tjetër nuk e respekton procesin, por me veprime konkrete nga vetë Kosova.

Ai theksoi se të bësh detyrat e tua, ashtu siç janë: kushtet e dialogut, raportet me Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara – janë ato që Kosova duhet t’i implementojë, pa u menduar se Serbia çfarë bën. “Duhet t’i bëjë detyrat e veta për veten dhe për të ardhmen e vet, jo për serbët… dhe të shkojë përpara… nuk ka rëndësi fare se çka bën Serbia, kurrë mos i bëftë, s’ka asnjë problem,” u shpreh ai.

Rama ndalet edhe tek çështja e bashkimit kombëtar, për të cilën tha se ka kuptim vetëm kur lidhet me Bashkimin Evropian, dhe se çdo mendim tjetër është thjesht “përrallë”. “Bashkimi kombëtar, sipas meje, është vetëm bashkimi me Evropën dhe asgjë tjetër. Çdo gjë tjetër është përrallë që gjithkush mund t’ia tregoj vetes por nuk ka asnjë shans që ta sheh të realizuar në realitet,” deklaroi kryeministri.

Një tjetër moment domethënës ishte kritika e tij për Gjykatën Speciale. Rama tha se ajo u krijua nga raporti i Dick Martyt – një dokument që ai e quan famëkeq – dhe që procesi gjyqësor është “nxitur” nga insinuata dhe dëshmitarë që sipas Ramës duket se janë të frymëzuar nga epokat e Millosheviqit. “Nuk ka asnjë gjurmë, asnjë shenjë, asnjë shkronjë dhe asnjë tingull të lidhur me atë trafik organesh… e mbështetur nga dëshmitarë super‑qesharakë që duken si aktorë të epokës së Millosheviqit,” u shpreh ai.

Në lidhje me idenë e rezolutës nga Parlamenti i Kosovës që Shqipëria të bashkohet me qëndrim ndaj Speciales, Rama tha se nuk ka vullnet për një veprim të tillë dhe e cilësoi procesin si një farsë: “Nuk ka vullnet në Kosovë për të dalë me një rezolutë… një rezolutë përtej partive politike të cilës ne do t’i bashkoheshim menjëherë ndaj Gjykatës Speciale dhe ndaj gjithë kësaj farse…”

Në fund, Rama bëri thirrje për një vetëdije të re në politikat ndërkombëtare: se historia e Gjykatës, por edhe të tjera procese që ai i sheh si politike e babyshpirtshme, “do të lë gjurmë tek vendet që e sponsorizojnë këtë gjykatë dhe… në një moment të caktuar do të zgjohen për ta reformuar këtë lloj sistemi kaq zhgënjyes”./lajmi.net/