Edi Rama ka rikthyer sulmet ndaj Albin Kurtit. Në një kohë kur SHBA ka ndërprerë raportet me qeverinë e tij dhe Prishtina ndodhet në situatë të vështirë, kryeministri shqiptar është vënë në lëvizje për t’i dhënë edhe ai një goditje, sikundër ka ndodhur dhe më parë.
Raportet mes Ramës dhe Kurtit kanë pasur shumë ulje-ngritje. Pas tensioneve të vazhdueshme, ka pasur një periudhë qetësie mes tyre muajt e fundit, por sot Rama u shfaq në mediat e Kosovës duke siluruar homologun kosovar.
Goditja e parë erdhi sa i takon procesit në Hagë për Hashim Thaçin dhe liderët e tjerë të UÇK-së. Rama tha se nuk ka vullnet në Kosovë për të dalë me një rezolutë të Parlamentit të Kosovës, një rezolutë që tha se Shqipëria do t’i bashkohej menjëherë ndaj Gjykatës Speciale. “Nuk ka vullnet në Kosovë për të dalë me një rezolutë të Parlamentit të Kosovës, një rezolutë përtej partive politike të cilës ne do t’i bashkoheshim menjëherë ndaj Gjykatës Speciale dhe ndaj gjithë kësaj farse sepse ka shumë farsë në këtë mes”, tha Rama.
Më tej ai goditi Kosovën sa i takon raporteve me Serbinë. Edhe pse jemi dy shtete dhe Kosova ka qeverinë e saj, Rama vijon të japë mend se si duhet të sillet Albin Kurti dhe politika në Prishtinë.
“Unë pikë se kam problem të përsëris atë që kam thënë: Kosova është bërë me vullnetin e vetë, por edhe me sytë e mbyllur peng i Serbisë. Sepse për mua Kosova nuk ka fare lidhje me Serbinë dhe as nuk duhet ta ketë fare parasysh Serbinë në rrugën e vet.
E kam thënë një mijë herë, për mua Kosova ka fituar luftën, tani duhet të fitojë paqen. Dhe që të fitojë paqen, duhet të sistemohet në tryezën e bashkësisë demokratike. Kjo është e gjitha. Dhe për ta bërë këtë, nuk duhet të shohë fare nga Beogradi, nuk duhet të mendojë për Serbinë, nuk duhet t’ia dijë fare për çfarë thonë apo pretendojnë serbët. Kosova duhet të bëjë detyrat e veta.
Do t’i bëjë detyrat e veta për veten dhe për të ardhmen e vet, jo për serbët. Dhe këto lidhen natyrisht me dialogun, por edhe me procesin e integrimit në Bashkimin Europian dhe bashkëpunimin me Shtetet e Bashkuara. Kjo do të thotë që nëse në tryezën e dialogut janë disa pika për t’u përmbushur, Kosova duhet t’i bëjë në mënyrë unilaterale dhe të shkojë përpara. Nuk ka rëndësi fare se çfarë bën Serbia, edhe nëse nuk i bën kurrë”, tha ai.
Në fund pati edhe një goditje finale. Teksa u pyet mbi alarmin nga serbët për aleancën ushtarake Shqipëri-Kroaci-Kosovë, Rama tha: “Nëse ka tërbim nga ana e tyre, ai është thjesht produkt i prapambetjes. Halli i vërtetë është kur shohim Kosovën të sillet vetë në mënyrë të prapambetur”.