Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, nuk po ndalet me akuza në drejtim të kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti.
Së fundi, Haradinaj ka deklaruar se Albin Kurti është i rekrutuar nga Serbia për të punuar në dëm të Kosovës.
“Albin Kurti nuk i ka menaxhuar mirë as dialogun, as marrëdhëniet me serbët e Kosovës. Për fat të keq na ka kushtuar kjo, se ky e ka bërë showbiz veç për vota. Rreziku që i vjen Kosovës nga serbët e veriut ose nga Lista Serbe është minimal. Albin Kurtit i është dashur me gjet një armik, me shpall një luftë, me u bërë patriot, me i mbuluar ato të këqijat që ia ka bërë Kosovës, me mbuluar kontratën që e ka me Serbinë e me armiqtë. Ai është i rekrutuar nga serbët, është i tyre”, tha Haradinaj.
E ndaj këtyre akuzave nga Haradinaj në drejtim të Kurtit, ka reaguar ashpër analisti politik Gani Qarri, i cili e quan politikan të dështuar kreun e AAK-së.
“Akuzat e Haradinajt janë shqelmat e fundit të një të dështuari politik para shkuarjes në arkivin e pensionimit, i dëshpëruar nga rënia tragjike e reitingut politik; ndaj dhe janë aq të shpifura e tërësisht të gënjeshta, sa ai sipas rezonit të tij të kufizuar politik, duke fabrikuar një letër, gjoja si shkresë të BE-së, e cila bëhet edhe më konfuze se si i ra në dorë pikërisht Ramush Haradinajt, tenton të na bindë edhe neve, me arsyetimin banal dhe fare të pabesueshëm, se vetëm pse Maqedonia e madje Serbia dhe Shqipëria po hapin kapituj të rinj, Evropa i thua ka Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti; ne — ‘Zotëri, nuk mund të takohemi më me ju në zyrë’”, frazë aq manipuluese dhe qesharake, sa një paçavure e tillë, ai e hiperbolizon edhe si “dokument”, se z. Kurti “arriti sukses për vendin fqinj”, sikur Albin Kurti të ishte ai që udhëheq jo vetëm me Kosovën, por edhe me FYROM-in dhe Serbinë”, thotë Qarri.Sipas tij, vetë Ramush Haradinaj është miku më i ngushtë i kriminelit serb, Milan Radojçiq, të cilin Haradinaj e kishte pritur në zyrë gjatë kohës sa kishte qenë kryeministër.
“Ramush Haradinaj, apo miku më i ngushtë i kryeterroristit serb Milan Radojçiq, i cili udhëhoqi edhe sulmin terrorist të 24 shtatorit 2023, me ç’rast u vra togeri në detyrë Afrim Bunjaku, tani hero i Kosovës, sikur mos të mjaftonin argumentet e shumta, të plasuara nëpër të gjitha mediat, se ai nga një i varfër ekstrem dhe në skamje tmerruese, është ngritur brenda nate në ‘Trump’ të Kosovës dhe njëri nga multimilionerët më të mëdhenj të pasluftës, në një vend kaq të varfër, pa fije turpi deklaron publikisht se kinse Kosova nuk kërcënohej nga Lista Serbe dhe Radojçiqat & co., me të cilët ai zhvillonte allishverishet e tij ‘patriotike’, duke i pritur edhe në zyrën e kryeministrisë, por gjoja se kinse Kurtit i duhej të gjente një armik për t’i shpallur luftë, vetëm pse Kurti rivendosi rendin e ligjin dhe shtriu shtetësinë e Kosovës gjithandej, duke ndaluar organizatat terroriste serbe dhe dëbuar bandat kriminale serbe, në Serbi, që në qeverisjen e Haradinajt & co. vepronin lirshëm”, nënvizon Qarri.
Më tej, Qarri thotë se Haradinaj me akuzat ndaj Kurtit po tenton t’i fsheh dështimet dhe skandalet e tij.
“Madje Haradinaj, në vend se të ofrojë fakte mbi prejardhjen e pasurive të tij marramendëse, gjen kohë të sajojë legjenda dhe të na recitojë përralla për fëmijë, duke akuzuar kryeministrin në detyrë Albin Kurti, pa dhënë asnjë provë, fakt as dëshmi autentike. Dhe, duke dashur t’i mbulojë të këqijat që ai vet ndër vite i ka shkaktuar këtij vendi, i njëjti papagall i verdhë përsërit në vazhdimësi se kinse Albin Kurti qenka rekrutuar nga Serbia, sepse në Kosovë nuk ka drejtësi të njëmendtë ku qytetarët detyrohen të presin me vite për një vendim gjykate”, shprehet Qarri.
“Të gjithë e dinë se Ramush Haradinaj është kthyer në ‘Trump’ të Kosovës, i cili në një vend kaq të vogël ka grumbulluar pasuri multimilionëshe, posedon shumë shtëpi, toka e vila, ku sipas K.B. nuk banon drejtësia dhe gjykatat e kapura as që guxojnë të merren fare me Ramush Haradinajn — anipse nuk është hera e parë që në arsenalin e tij të propagandës së zezë ai shpërndan lirshëm këso propagande agjenturore dhe akuzime veresi”, shton Qarri.
Ai thotë se Haradinaj duhet të merret urgjentisht në pyetje nga organet shtetërore.
“Ndryshe, koha do ta dëshmojë, jo me fjalë, por me fakte se kush është i shitur te Serbia dhe kush ishin bashkëpunëtorët e devotshëm të saj, kurse Ramush Haradinaj do duhej që moti të ishte marrë në pyetje nga organet shtetërore të Republikës së Kosovës, jo vetëm për akuzat e rënda e kaq serioze kundrejt kryeministrit të vendit Albin Kurti, por edhe për faljen e Kullës, Zhlebit e të Çakorrit me rreth 8,300 hektar tokë autoktone të Republikës së Kosovës, Malit të Zi, vetëm për disa muaj qëndrimi në karrigen e kryeministrit, që është akti më i rëndë në gjithë historinë e pasluftës, por megjithatë mbetet i padënuar asnjëherë juridikisht as penalisht në Republikën e Kosovës.”
“Shitja apo falja e territorit të shtetit është tradhtia më e rëndë, e cila edhe po të ishte e vetmja gafë e këtij pseudo-politikani, do të mjaftonte si dëshmia më tragjike që e bën atë jo vetëm politikanin më të paaftë, por edhe pushtetmbajtësin më të paskrupullt e të dyshimtë, të cilit qytetarët e Kosovës nuk guxojnë t’ia falin më kurrë besimin e tyre dhe me votën e vet të lirë, përfundimisht duhet ta eliminojnë nga politika, me rrëzimin nën pragun zgjedhor dhe dërgimin e tij në analet e historisë së pushtetarëve renegat, shitës të tokave të Kosovës dhe politikanit më të dështuar në Republikën e pavarur të Kosovës!”, përfundon analisti Gani Qarri për “Bota sot”.