Rubin e pranon: Po kam thënë se Thaçin e futën në burg në momentin që po krijonte marrëveshje paqeje me Serbinë

James Rubin, ish-ndihmëssekretar amerikan i shtetit pranoi se në një intervistë në korrik të këtij viti, kishte thënë se ish-presidentin Hashim Thaçi e kanë akuzuar në momentin që po e bënte marrëveshjen me Serbinë.

Gjithashtu, Rubin kishte thënë se Gjykata Speciale është shembulli i drejtësisë ndërkombëtare që ka dalë jashtë kontrollit, raporton “Betimi për Drejtësi“.

“Po tani tribunali i Kosovës është shembulli i drejtësisë ndërkombëtare që ka dalë jashtë kontrolli. Krijuan një çështje të pabazë për drejtuesin e çështjeve të Kosovës dhe e kanë akuzuar në momentin që po krijonte marrëveshje paqeje me Serbinë, e futën në burg. Ka qenë në burg për katër vite e më shumë por nuk janë në gjendje as t’i mbledhin të gjitha provat bashkë që tri vite e gjysmë sepse po shpikin ligjin”, u dëgjua të ketë thënë Rubin.

Dëshmitari tha se i kujtohet që i ka thënë këto deklarata dhe si rrjedhojë pjesë të videos u pranuan në prova materiale.

Me kaq përfunduan pyetjet e Prokurorisë për këtë dëshmitar, duke shtuar se mund të kenë pyetje të tjera që dalin nga përmbledhje ose deklarata të dëshmitarëve të tjerë të mbrojtjes që nuk janë marrë ende. Pace tha se kjo do të varet krejtësisht prej deklaratave të dëshmitarëve të tjerë.