Dokumenti që dëshmon se Peci nuk e kishte kthyer telefonin e Ministrisë sa ishte këshilltar i Kujtim Shalës

Kandidati për kryetar të Mitrovicës nga radhët e Listës Guxo dhe Lëvizjes Vetëvendosje, Faton Peci, më herët ka qenë pjesë e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Në periudhën dhjetor 2014 – korrik 2017, ai kishte shërbyer si këshilltar politik i ministrit të atëhershëm të Kulturës, Kujtim Shala.

Gjatë asaj kohe, Ministria e Kulturës kishte lidhur një marrëveshje me kompaninë IPKO për furnizimin me telefona dhe mbushje për kabinetin ministror dhe këshilltarët politikë. Marrëveshja ishte nënshkruar në vitin 2016, një vit para largimit të Shalës dhe Pecit nga MKRS.

Pas përfundimit të mandatit, Peci nuk e kishte kthyer telefonin, pavarësisht thirrjeve të përsëritura të ministrisë.

Në vitin 2019, ish-ministri i Kulturës, Kujtim Gashi, kishte akuzuar publikisht si Pecin, ashtu edhe Shalën, për moskthimin e telefonave dhe laptopëve që ishin pasuri e MKRS-së.

“Ti ke marrë telefon, ti ke marrë laptop, dhe do të jepni përgjegjësi ligjore, sepse asnjë prej tyre nuk i keni kthyer. Ato kanë qenë asete të Ministrisë së Kulturës”, kishte deklaruar Gashi në emisionin Rubikon, duke iu drejtuar Pecit.

Në të njëjtën debat, Peci ishte përgjigjur duke thënë se pajisjet nuk i kishte kthyer askush, ndërsa Gashi kishte shtuar se “një gjë e tillë nuk ka ndodhur kurrë gjatë qeverisjes së PDK-së”.