“Thaçi paska qenë kërkushi? Përcaktohuni për…”, Rron Gjinovci ironizon dëshminë e James Rubin

James Rubin i cili gjatë luftës në Kosovë ishte ndihmëssekretari amerikan i Shtetit, është duke dëshmuar sot në Hagë.

Ai ka thënë se Thaçi kishte një rol politik në UÇK por jo një rol udhëheqës dhe se “nuk diktonte rregulla dhe kushte”.

Sipas tij, Hashim Thaçi nuk kishte kompetenca

“Ai na tha [Hashim Thaçi] që nuk mund të na thoshte ne po, pa pasur një deklaratë specifike për pavarësinë, sepse ai duhet të diskutonte me komandantët e UÇK-së. Personat që kërkonin pavarësinë e Kosovës ishin maksimalisht, i donin të gjitha, donin çdogjë të mundshme. Sigurisht që diplomacia nuk mund të jetë gjithmonë perfekte. Ne përpiqeshim të gjenim një mes të artë që mos t’i thonim as jo, as po pavarësisë në atë dokument, kështu që ne thamë mund të shprehni vullnetin e popullit pa e bërë të qartë dhe pa e thënë specifikisht fjalën pavarësi, ai na tha po nuk përdora fjalën pavarësi, atëherë mua do të më konsiderojnë si person që ka hequr dorë nga pavarësia e vendit. Pra, ishte moment shumë i vështirë dhe ai na shpjegoi se nuk ishte përgjegjës për këto, ai ishte thjesht personi që po komunikonte me ne. Sepse kishte një rol politik në UÇK por jo një rol udhëheqës. Nuk kishte kompetenca, nuk kishte autoritet, ai ishte thjesht pasqyrim i një lëvizjeje dhe shumë persona në atë lëvizje donin pavarësi tani, ose më së paku të shprehin në dokument, të konfirmohej në dokument se do të realizohet pavarësia. Ideja ishte si t’i kënaqim të gjithë dhe mënyra e vetme për ta bërë këtë ishte që një dokument të vagullt sa i takon pavarësisë, ai këtë nuk mund ta pranonte se atij i kishin thënë që nëse e bën këtë, siç e tha edhe me fjalë të veta, do të ishte një tradhtar ”, tregoi Rubin para trupit gjykues.

Ndaj dëshmisë së tij ka reaguar aktivisti Rron Gjinovci.

Ai përmes një shkrimi në Facebook, shpreh habi duke thënë se tani po del që Thaçi paska qenë kërkushi.

Gjinovci ka shtuar se duhet përcaktuar nëse ai ka qenë dikush, apo jo dhe nëse ai ka çliruar vendin.

Sipas tij, nuk mund edhe të çlirojë vendin kreu i luftës çlirimtare dhe të mos jetë kërkushi.

Postimi i plotë pa ndërhyrje:

Tash po del që Thaçi su kon kërkushi a?

Po a u kon a su kon, përcaktohnu, a na ka çliru çlirimtari a jo? S’munësh edhe me na çliru si kreu i luftës çlirimtare, ushtrisë çlirimtare edhe mos me kon kërkushi.