Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka reaguar pas deklaratës së kryetarit në ikje të Gjakovës, Ardian Gjini, i cili gjatë një debati elektoral ka thënë se Qeveria Kurti e ka hequr buxhetin për projektin e zgjerimit të rrugës Dollc–Gjakovë.
Sipas Muratit, kjo deklaratë është totalisht e pavërtetë dhe e kundërshtuar nga faktet. Ai ka sqaruar se në vitin 2019, Qeveria Haradinaj kishte nënshkruar kontratat me operatorët ekonomikë për këtë projekt me kosto të paraparë prej 57 milionë euro. Në buxhetin e vitit 2019 ishin paraparë vetëm 9 milionë euro, ndërsa për gjithë projektin (2019–2021) ishin buxhetuar gjithsej 29.5 milionë euro – apo rreth 27.5 milionë më pak se sa ishte kostoja reale. Kjo sipas tij tregon se projekti ishte nisur pa u buxhetuar siç duhet.
Murati thekson se në buxhetin e vitit 2020, Qeveria Kurti kishte buxhetuar 4 milionë euro për projektin, gjë që e demanton pretendimin e Gjinit se projektit i ishte hequr buxheti.
Në vitin 2021, Qeveria Hoti – ku bënte pjesë edhe AAK-ja – kishte buxhetuar vetëm 2 milionë euro për këtë projekt, duke e zvogëluar buxhetin nga 8 milionë sa ishte paraparë për atë vit. Edhe kjo, sipas Muratit, demanton pretendimin se Qeveria Hoti e kishte rikthyer buxhetin.
Në vitin 2022, Qeveria Kurti kishte ndarë 2.5 milionë euro me klauzolën që mundësonte shtimin e buxhetit nëse dinamika e punëve do të ishte më e shpejtë. Por kjo klauzolë nuk ishte shfrytëzuar pasi punëkryesit nuk kishin arritur të përshpejtonin punët.
Në buxhetin e vitit 2023, Qeveria Kurti kishte ndarë 11 milionë euro, duke u bazuar në premtimet e punëkryesve për rritjen e ritmit të punimeve. Megjithatë, punimet vazhduan me ritëm të ngadaltë për shkak të problemeve me projektin dhe buxheti i ndarë nuk ishte shpenzuar plotësisht.
Në vitin 2024, ndahen edhe 10 milionë euro të tjera, por përsëri buxheti nuk arrin të shpenzohet për të njëjtat arsye.
Ndërkaq, për vitin 2025, Qeveria Kurti ka ndarë edhe 6 milionë euro, me mundësinë që buxheti të shtohet nëse dinamika e punimeve rritet gjatë vitit.
Murati thotë se nga tabelat buxhetore del qartë se deklaratat e Ardian Gjinit janë të pavërteta, pasi ka qenë pikërisht Qeveria Haradinaj që e kishte nisur projektin me vetëm gjysmën e mjeteve të nevojshme, ndërsa zvogëlimi i buxhetit kishte ndodhur në Qeverinë Hoti.
Ai gjithashtu përmend se Ministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, ka sqaruar tashmë problemet dhe mangësitë që projekti ka pasur që në fillim, si pasojë e keqplanifikimit nga Qeveria Haradinaj.
Në fund të reagimit, Murati thekson se nëse Ardian Gjini është në gjendje të thotë të pavërteta publikisht, qytetarët duhet të mendojnë se çfarë është në gjendje të bëjë jashtë kamerave. Ai u bën thirrje votuesve të Gjakovës që ta bëjnë ndryshimin në zgjedhje duke votuar për Prof. Ardian Gola – kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje me numrin 105.