Rrëfimi i jashtëzakonshëm i Lamin Jamal, nga traumat e fëmijërisë u shndërrua në yll të Barcelonës

Me gala-në e “Topit të Artë” gjithnjë e më pranë dhe sezonin e ri që sapo ka nisur, Lamin Jamal ka rrëfyer historinë e tij personale dhe profesionale në podcastin “Resonancia de Corazón”.

Familja: “Gjyshja ime arriti e vetme në Spanjë nga Maroku duke u futur fshehurazi në një autobus. Ajo punoi për të mundësuar ardhjen e babait tim. Nëna ime erdhi me gjyshen nga Guinea. Prindërit e mi u takuan në Barcelonë dhe filluam të jetonim në një rezidencë për prindër të rinj. U rrita aty, ishte një mensë ku na jepnin ushqim të gjithëve. Më pas kemi jetuar në dhoma që linin miqtë, deri sa prindërit u ndanë”.

Ndryshimi i jetës: “U vendosëm në një apartament ku kuzhina dhe dhoma ishin e njëjta. Tani e shoh nënën time të lumtur, vëllain që ka fëmijërinë që unë do të kisha dashur, babain në qetësi dhe gjyshen po ashtu. Nëna është mbretëresha ime, ajo është gjithçka që një fëmijë mund të kërkojë”.

Shkolla dhe marrëdhënia me nënën: “Viti i parë shkoi mirë, në të dytin hasa vështirësi, sepse nuk isha mësuar me njerëz nga rangje të ndryshme shoqërore. Më pas nuk ndihesha mirë në klasë. Iu thashë prindërve: Nëse varet nga ju që të punoj, jemi të humbur. Nëse doni që të bëhem futbollist, rrini të qetë, sepse do të bëhem futbollist. Nëna më tha se nuk do të luaja nëse nuk studioja. Një ditë i thashë: Mami, do të shkoj në shkollë, por nuk do të bëj asgjë. Do të përgatitem për stërvitje pasdite. Më tha çfarë po flisja dhe çfarë kisha pirë… I thashë: Nëse përqendrohem, do të bëhem futbollist. Nuk e binda dot, më qortoi çdo ditë, madje edhe kur debutova si futbollist profesionist”.

“Mbretëresha” e tij: “Mamaja nuk mund të ishte shumë me mua, sepse punonte, por gjithmonë e përgatitste darkën. I bleva një shtëpi, është mbretëresha ime dhe e meriton gjithçka. Kujtoj kur më bleu ‘PlayStation 4’, që për mua ishte gjithçka. Tani luaj shumë në ‘PlayStation 5’. Mund të kem vilën më të madhe, por gjithsesi do të rrija në dhomën e playstation-it”.