Nga bashkëautor i fyerjes te homazhet në Prekaz – Dimal Basha përpiqet të shpëtojë imazhin

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Dimal Basha, zhvilloi sot homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, ku u përul para sakrificës së familjes Jashari dhe figurave të tjera kombëtare si presidenti historik Ibrahim Rugova dhe veprimtari Adem Demaçi.
Në postimin e tij zyrtar, Basha shkroi: “Prekazi mbetet përjetësisht burim frymëzimi për vetëdijen tonë kombëtare, për unitetin dhe përkushtimin tonë ndaj atdheut… Është obligim dhe detyrë e jona e përhershme që ta vazhdojmë rrugën që ata trasuan me veprat e tyre.”, transmeton lajmi.net.

Por pikërisht ky deklarim solemn vjen në kontrast të thellë me një skandal që së fundmi ka dalë në dritë, ku Basha rezulton si bashkëautor i një punimi shkencor të vitit 2012, së bashku me autoren Jana Arsovska, në të cilin UÇK-ja përshkruhet si organizatë e lidhur me financime të paligjshme, krim të organizuar dhe trafik ndërkombëtar.

Në përballje me kritikat e shumta, Basha fillimisht reagoi publikisht duke thënë se: “Kam qenë bashkautor vetëm për kapitullin që flet për islamin radikal në Kosovë dhe Evropën Juglindore dhe nuk kam kontribuar në pjesën që përmend UÇK-në.”

Pastaj u arsyetua se nuk e kishte lexuar punimin para se të botohej, një deklaratë që tronditi opinionin publik dhe ngriti pikëpyetje serioze për përgjegjësinë dhe kujdesin akademik të një lideri të një institucioni si Kuvendi i Kosovës.

Basha u arsyetua duke e quajtur këtë një “pakujdesi studentore”, ndërsa deklaroi se ka kërkuar nqë emri i tij të hiqej nga publikimi — 13 vjet pas botimit.

Pavarësisht këtyre sqarimeve, fakti mbetet: emri i Dimal Bashës qëndron nën një tekst që akuzon UÇK-në për lidhje me krimin dhe trafikun e drogës, një fyerje e rëndë për ata që dhanë jetën për lirinë e Kosovës.

Në një ditë ku vendosen kurora në Prekaz dhe flitet për “trashëgimi të shenjtë”, qytetarët kanë të drejtë të pyesin: Si mund të nderohen dëshmorët me njërën dorë, dhe të nënshkruhet një fyerje akademike ndaj tyre me tjetrën?

Ky dyzim, kjo përplasje mes fjalës dhe veprës, ka potencialin të lë një njollë serioze mbi integritetin e një figure që sot pretendon të përfaqësojë idealet e shtetit dhe sakrificës kombëtare./lajmi.net/