Haradinaj: Për pritjen ndaj Thaçit dhe të tjerëve e kemi rastin e Kroacisë për Gotovinën

Një prej ish-udhëheqësve të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Nasim Haradinaj, ka thënë se pret që të akuzuarit nga Gjykata Speciale për krime lufte të lirohen dhe për mënyrën e pritjes së tyre e përmendi rastin e Kroacisë ndaj Ante Gotovinës.

Për vendimin e trupit gjykues në çështjen ndaj ish-eprorëve të UÇK-së për caktimin e 22 dhjetorit si datë kur palët duhet të dorëzojnë dosjet përfundimitare, Haradinaj, e quajti si afat preliminar.

Sipas tij vendimi i Speciales për dënimin ose jo të Thaçit dhe të tjerëve, mund të marrë kohë deri në maj.

Haradinaj në KTV tha se pret që ata të lirohen, dhe për mënyrën e pritjes së tyre e përmendi rastin e Kroacisë ndaj Ante Gotovinës, transmeton Periskopi.

“Pritja do të varet se si do të reagojmë si popull. E para qeveria, e dyta njerëzit kompetentë që jemi këtu dhe e treta komplet si popull si do të reagojmë. Nëse ne japim një sinjal, kemi rastin e Gotovinës që e ka dhënë Kroacia. Pritja ime edhe pse dyshoj në atë gjykatë duhet të jetë pozitive, lirim total. Nëse shikohen komplet dëshmitarët deri sot, ata janë në disa dëshmi të mira, dëshmi të cilat shihen se janë të përpunuara, dëshmi të cilat shihen se janë të nxitura dhe të korruptuara, në raport me dëshmitë që do dëgjohen tash të Wesley Clark, Tony Blair dhe personalitete me rëndësi, me famë botërore dhe akuzat duhet të bien poshtë. Prandaj unë pres një lirim të ish-krerëve të UÇK-së. Një fitore të Kosovës”, deklaroi Haradinaj.

Haradinaj gjithashtu tregoi se po përgatiten edhe për protesta të tjera, për të cilat tha se duhet të jenë gjithëpopullore dhe me karakter evropian.

Ante Gotovina i cili u përmend nga Haradinaj njihet për rolin e tij gjatë Luftës së Pavarësisë së Kroacisë në vitet ’90 ishte një nga komandantët më të rëndësishëm ushtarakë të Kroacisë dhe një nga organizatorët kryesorë të: Operacioni “Oluja” (Stuhia) – Gusht 1995, që konsiderohet ofensivë e madhe e ushtrisë kroate për të rimarrë territoret e pushtuara nga serbët. Operacioni përfundoi me sukses por u shoqërua me akuza për krime lufte ndaj Gotovinës. Ai qëndroi disa vite në arrati, ndërsa u arrestua në Spanjë në vitin 2005 pasi po kërkohej nga Tribunali i Hagës. Në vitin 2011 u dënua me 24 vjet burgim ndërsa një vit më vonë u shpall i pafajshëm dhe u lirua.

Pas kthimit në Kroaci ai u prit si hero kombëtar dhe qëndroi gjithmonë jashtë jetës së politikës.

Megjithatë që nga shqiptimi i dënimit, u organizuan shumë protesta masive nga qytetarët kroatë për lirimin e tij. Gjithashtu edhe Qeveria kroate dhe shumë politikanë e quanin të padrejtë dënimin e tij.

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryetarët e Kuvendit, Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, si dhe ish-deputeti Rexhep Selimi ndodhen në një proces gjyqësor në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.