Në kohën kur skena politike në Kosovë po përballet me zhvillime të rëndësishme dhe sfida të brendshme, një nga figurat më të përfolura është Donika Gërvalla, zëvendëskryeministre dhe ministre në detyrë e Punëve të Jashtme.
Gjatë mandatit të saj në krye të Ministrisë së Punëve të Jashtme, Gërvalla ka qenë vazhdimisht nën lupën e kritikëve.
Pavarësisht punës së saj dhe arritjeve që ka pasur, ajo është sulmuar në vend që të përgëzohet për arritjet në përfaqësimin e shtetit të Kosovës gjatë udhëheqjes së saj.
Kjo u vu re edhe javët e fundit, kur sulmet ndaj saj janë intensifikuar, sidomos pas kandidimit për postin e kryetares së Kuvendit të Kosovës.
Ajo është vendosur në qendër të kritikave dhe sulmeve të shumta publike, të cilat konsiderohen të motivuara politikisht.
Anëtari i Guxo-s, avokati Gazmend Halilaj, në një prononcim për “Bota sot”, ka folur rreth situatës politike të krijuar në Kosovë.
Ai e ka quajtur situatën komplekse, por sipas tij, ajo është e menaxhueshme.
“Situata aktuale në Kosovë është e ndjeshme dhe komplekse, por gjithsesi e menaxhueshme. Shteti ynë ka bërë hapa të rëndësishëm në forcimin e institucioneve dhe në afirmimin ndërkombëtar, prandaj është e rëndësishme që të gjithë faktorët politikë e shoqërorë të tregojnë maturi dhe unitet”, ka thënë ai.
Përveç të tjerash, Halilaj ka folur edhe për sulmet që po bëhen ndaj ministres në detyrë të Punëve të Jashtme, duke thënë se ato janë të motivuara politikisht.
Ai ka vlerësuar kontributin e saj në rritjen e profilit ndërkombëtar të Kosovës dhe në forcimin e marrëdhënieve me partnerët strategjikë, duke theksuar se sukseset e saj nuk duhet të zhvlerësohen, por të vlerësohen si të rëndësishme për shtetin.
“Në këtë kontekst, sulmet ndaj ministres Donika Gërvalla janë të padrejta dhe shpesh të motivuara politikisht. Përmes angazhimit të saj, Kosova ka rritur dukshëm profilin ndërkombëtar dhe ka forcuar marrëdhëniet me partnerët strategjikë. Këto janë rezultate konkrete që nuk mund të anashkalohen. Mendoj se sulmet kanë për synim të minimizojnë sukseset e saj si zëvendëskryeministre dhe ministre e Jashtme, por kontributi i saj është i rëndësishëm dhe i dobishëm për shtetin e Kosovës, prandaj duhet të vlerësohet e jo të zhvlerësohet”, ka deklaruar ai.