“Ka fyer, ofenduar e rrënuar vendin e vet”- Ish-opozita kritike ndaj Bashës dhe artikullit kundër UÇK-së

Para fillimit të seancës së Kuvendit të Kosovës, partitë politike si PDK, LDK, AAK dhe Nisma kanë komentuar publikimin e një punimi ku kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, ka kritikuar UÇK-në.

Basha gjithashtu ka mbajtur një konferencë për media, ku ka mohuar përfshirjen e tij në çështjet që lidhen me UÇK-në, duke sqaruar se të gjitha veprimet e tij akademike dhe profesionale lidhen vetëm me studimet mbi islamin fundamentalist.

Basha tha se shpifjet kundër tij nuk kanë të ndalur dhe ndjen përgjegjësi të sqarojë publikisht situatën: “Unë këtu jam për të deklaruar që nuk është hera e parë që unë si Dimal Basha, e as ne si VV sulmohemi me të pavërteta nga qarqe të caktuara. Është e lodhshme që në këtë vend shpifjet nuk kanë të ndalur, andaj ndjej përgjegjësi të sqarojë për akuzat që janë ngritur kundër meje. Në vitin 2012 keam dorëzuar hulumtim për publikm, atë kohë kam bërë hulumtim për deportimin e islamit fundamendalist në Evropën Juglindore, kam dërguar hulumtim vetëm për këtë temë. Këtu përfundon përgjegjësia ime për këtë temë. Edhe tema ime master gjithashtu e mbulon vetëm këtë pjesë. Asnjë fjalë të vetme nuk e gjeni UÇK ose çkado tjetër. E mbulon vetëm temën e islamit fundamentalist me fokus Kosovën. Të njëjtën e thotë profesoresha ku kam studiuar, ajo personalisht ka dërguar email demantues. Nuk kam shkruar asnjë fjali nga kapitujt e tjerë.”, tha ai.

Deputeti i LDK-së, Arben Gashi, e ka cilësuar Bashën si “përfaqësuesin më autentik të VV-së”

“Ky është një narracion që po i bëhet Dimalit nga partia e vet, e cila nuk po do me e shpërfaq anticitetin e VV-së. Mendoj që Dimali është përfaqësues autentik i VV-së dhe e tillë është Vetëvendosja, dhe populli duhet me e kuptu cila është qasja e të menduarit politik në Kosovë.”, u shpreh Gashi.

Deputeti i PDK-së, Artan Behrami, tha se partia e tij demaskoi politikën anti-UÇK të Albin Kurtit.

“Me premtimin që e ka mbajtur Partia Demokratike e Kosovës, ne e kemi demaskuar politikën anti-UÇK të Albin Kurtit, e cila gjithmonë është fshehur prapa njerëzve si Glauk Konjufca dhe Shqipe Selimi dhe që nga sot ai nuk mund të fshihet prapa këtyre figurave, sepse Dimal Basha është personifikimi i doktrinës anti-UÇK të Albin Kurtit,” u shpreh tutje ai.

Haradinaj nga AAK-ja tha se Vetëvendosje nuk i shërben agjendës së Kosovës.

“Sa i përket shkrimeve të Dimalit dhe atyre, ju e dini se qëndrimet i kam të qarta se nuk i shërbejnë agjendës së Kosovës këta njerëz, e kam deklaruar me kohë. Ka edhe shumë tjerë që në momente të caktuara kanë sulmuar UÇK-në, ju e dini sa i sulmuar kam qenë dhe jam kohë pas kohe. T’ju them të drejtën nuk më bëjnë shumë përshtypje këto më. Nuk mund të ankohemi pasi të ndodhë. Ne duhet më herët të marrim masat që të mos lejohen njerëz të tillë. P.sh pse të certifikohet dikush që ka thye një vlerë kombëtare. Është dashur herët këto procedura, pasi s’mund të thuash tash është deputet, po s’bën me qenë kryetar Kuvendi. Si i ka kaluar të gjitha këto procedurat ligjore,” tha ai.

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, reagoi pas publikimit të punimit ku përmendet kritikisht UÇK-ja.

“Ai është një punim shkencor që shërben për studentë, profesorë, prokurorë, gjyqtarë, propagandistë. Është një hulumtim shkencor, i bazuar dhe i publikuar nga dy autorë. Më vjen shumë keq që një shqiptar, për të publikuar një punim shkencor, ka fyer, ofenduar, rrënuar dhe shtrembëruar vendin dhe popullin e vet. Kjo është shumë serioze, serioze është edhe natyra e artikullit.”.

Ndërkohë, pas seancës, deputeti Xhelal Sveçla tha: “Nuk është shkrim i tij, ai e ka sqaru këtë.”