Pas më shumë se gjashtë muajsh nga mbajtja e zgjedhjeve të 9 shkurtit, institucionet e Kosovës vazhdojnë të mbeten të bllokuara.
Nesër do të mbahet tentativa e 57-të për konstituimin e Kuvendit të ri, por as kësaj radhe nuk ka siguri nëse do të ketë ndonjë zhvillim konkret – sidomos sa i përket zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit, transmeton lajmi.net
Lëvizja Vetëvendosje, që pretendon të udhëheqë me këtë pozitë, ende nuk e ka bërë publik emrin e kandidatit të radhës, pasi tre të propozuarit e fundit kanë dështuar të sigurojnë shumicën e nevojshme në votim. Albulena Haxhiu, Donika Gërvalla dhe së fundi Hekuran Murati janë rrëzuar një nga një në sallën e Kuvendit, për mungesë përkrahjeje.
Përkundër dështimeve të njëpasnjëshme, Vetëvendosje nuk ka dhënë asnjë sinjal se është e gatshme të bëjë një marrëveshje politike për një emër konsensual që do të zhbllokonte institucionet. Kjo parti ka insistuar se i takon opozitës ta votojë kandidatin që ajo e propozon, pa u ndikuar nga preferencat apo kushtëzimet e partive tjera.
Votat mungojnë, kundërshtimet rriten
Nisma Socialdemokrate, që ka në përbërje 3 deputetë, ka deklaruar qartë se votat e saj do të jepen vetëm në kuadër të një marrëveshjeje politike të mirëfilltë, duke lënë të kuptohet se nuk do ta mbështesë asnjë kandidat të Vetëvendosjes pa dialog të hapur mes palëve.
Nga ana tjetër, PDK ka qenë e prerë në qëndrimin e saj: asnjë deputet që ka qenë pjesë e kabinetit të Kurtit 2, përfshirë edhe shefen e grupit parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari-Lila, nuk do të votohet nga kjo parti.
AAK, ndërkohë, ka treguar më shumë fleksibilitet. Kjo parti ka përmendur disa emra që do t’i mbështeste, përfshirë Glauk Konjufcën, Saranda Bogujevcin dhe Shqipë Selimin, por pa përjashtuar mundësinë e mbështetjes edhe të ndonjë kandidati tjetër – nëse arrihet mirëkuptim politik.
Institucionet në ngërç për muaj të tërë
Zgjedhjet parlamentare janë mbajtur me 9 shkurt 2025, por bllokimi i institucioneve ka hyrë në muajin e gjashtë. Dështimi për të zgjedhur kryeparlamentarin pengon edhe zgjedhjen e presidentit të ri dhe formimin e qeverisë së re, duke lënë vendin në një krizë të thellë politike dhe institucionale.
Përderisa tentativa e nesërme është e 57-ta me radhë, pa një marrëveshje politike të gjerë ose ndryshim strategjie nga VV-ja, nuk pritet që ngërçi të zgjidhet as këtë herë./lajmi.net/