Bashkimi Evropian ka shprehur zhgënjimin e tij për moscertifikimin e dy partive politike serbe në Kosovë, Lista Serbe dhe Demokracia Serbe, për zgjedhjet lokale të 12 tetorit.
Në një deklaratë zyrtare, BE-ja ka kritikuar qëndrimin e Lëvizjes Vetëvendosje gjatë procesit të certifikimit.
“BE-ja është e zhgënjyer për moscertifikimin e dy partive politike të serbëve të Kosovës. Është për keqardhje qëndrimi i Vetëvendosjes gjatë procesit të certifikimit. Karakteri gjithëpërfshirës i zgjedhjeve të ardhshme lokale është kyç për të ardhmen e raporteve në mes të Kosovës dhe Bashkimit Evropian. Partitë politike që i kanë përmbushur kriteret ligjore duhet të lejohet të marrin pjesë në zgjedhje dhe përfaqësuesit e zgjedhur duhet të marrin detyrat gjithandej Kosovës, bazuar në një proces të lirë, të drejtë dhe gjithëpërfshirës”, thuhet në reagim.
BE-ja gjithashtu ka theksuar se pret që institucionet përgjegjëse të sigurojnë se i gjithë procesi, përfshirë apelimin e partive, të zhvillohet në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet në Kosovë.
“Përjashtimi i cilitdo akter politik bie ndesh me parimet e demokracisë”, ka theksuar BE-ja, duke shtuar se do të vazhdojë të monitorojë nga afër zhvillimet e ardhshme.