A dëshmoi Enver Sekiraqa në gjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së?

Enver Sekiraqa
Në procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK)- Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, në Dhomat e Specializuara në Hagë, emri i Enver Sekiraqës është përmendur si pjesë e diskutimeve mbi besueshmërinë e dëshmive dhe viktimave të pretenduara. Ky diskutim ngriti pikëpyetje në Kosovë nëse Sekiraqa dëshmoi nga arratia, apo jo.

Në seancën e 31 tetorit 2024, gjatë kohës sa mbrojtja e Jakup Krasniqit e përfaqësuar nga avokatja Venkateswari Alagendra po e merrte në pyetje dëshmitarin Nuredin Ibishi, u përmend emri i Enver Sekiraqës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në atë seancë, Ibishi e pranoi se Sekiraqën e njihte si person problematik që nga vitet e ’90-ta dhe se ai ishte në burg për shkak të një dënimi penal që iu është dhënë. Dënimi në fjalë i shqiptuar ndaj Sekiraqës, Ibishi theksoi se kishte të bënte me vrasjen e policit Triumf Riza.

“E keni fjalën për këtë dënim 25 vjet për vrasjen e oficerit të policisë Triumf Riza në 2007?”, kishte pyetur Alagendra, e që Ibishi e pohoi.

“Pra, ju keni thënë që ju besonit që Enver Sekiraqa ishte në burg për shkak të këtij dënimi që i ishte dhënë në kohën që keni folur me Prokurorinë dy javë më parë? Tani, unë thjesht dëshiroj t’ju tregoj këtë artikull. A e dinit ju që ka patur lajme që Enver Sekiraqa ishte arratisur, pra, ishte ai i arratisur në atë kohë kur ju keni folur me Prokurorinë? Ky është një artikull nga data 17 maj 2024. Pra, ju e dinit që ai ishte i arratisur dhe që për momentin nuk është në burg?”, ishte pyetja e avokates Alagendra.

Kurse, Ibishi pohoi se ka informacione që para se të vinte në Hagë për të dhënë dëshmi, Sekiraqa ishte i arratisur.

“Ashtu sa kam informacione para se të vij këtu, ashtu është. Është i arratisur”, deklaroi Ibishi gjatë asaj seance.

Ibishit më pas i ishte prezantuar një artikull, i cili, sipas avokates, ishte botuar në vitin 2010 pas dënimit që Sekiraqa kishte marrë më 2007-ën në këtë rast.

Ky artikull ishte nga një media ndërkombëtare, e në të cilin Sekiraqa konsiderohej figura kryesore e krimit të organizuar në Kosovë, që jetonte në Irlandë dhe se ishte në listën e të kërkuarve nga Interpoli.

Këta artikuj, Alagendra i kishte propozuar që të pranohen në prova materiale, por kishte ndërhyrë gjyqtari Guénawl Mettraux.

“Znj. Alagendra, përpara se ta bëjmë këtë gjë, cili është synimi për këtë? A po na thoni ju që Enver Sekiraqa është një person i keq dhe nuk duhet të besojmë asgjë që ka thënë ai për parandalimin e tij, burgosjen e tij e të gjitha këto gjëra?”, tha ai.

Ndonëse Alagendra ishte përgjigjur se këta artikuj konfirmojnë se Sekiraqa ishte arratisur nga drejtësia, gjyqtari kishte kërkuar të dijë se pse është i rëndësishëm ky informacion.

“Sepse ka të bëjë me kredibilitetin, pra, besueshmërinë e z. Sekiraqa”, ishte përgjigjur Alagendra.

Pranimin e këtyre provave e kishte kundërshtuar prokurorja Silvia D’Ascoli.

“Të nderuar, unë kundërshtoj për bazën e kësaj kërkese që bëhet. Sepse, në fakt, avokati e ka diskutuar me dëshmitarin dhe ka folur pikërisht për çështjet e besueshmërisë për sa i përket, pra, këtij dëshmitari dhe ai ka folur për këto gjëra, kështu që ne nuk e shikojmë se pse janë të dobishme, pse duhet të ishin të dobishme për Gjykatën këto dokumente për t’u pranuar”, tha Ascoli.

Se a do pranoheshin këta artikuj si prova, apo jo, u tha se do të vendoset në një moment tjetër, por ato dokumente morën numrin e provës.

E dita për të vendosur lidhur me pranimin e këtyre dokumenteve në prova, ishte pikërisht konferenca për ecurinë e çështjes në këtë rast më 23 prill 2025.

Në këtë konferencë, kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III kishte thënë se këta artikuj flisnin për një person të dënuar për krime të rënda dhe se më vonë ishte arratisur nga drejtësia. Sipas gjyqtarit, ky person ishte viktimë e një krimi të pretenduar që përshkruhet në dosjen paragjyqësore të Prokurorisë.

“Të tri dokumentet janë artikuj shtypi ku sugjerohet që një viktimë e një krimi të pretenduar që përshkruhet në dosjen paragjyqësore të Prokurorisë, më vonë ishte dënuar për krime të rënda dhe thuhet se i ka ikur drejtësisë”, kishte thënë Smith III.

Kryetari i trupi gjykues kishte vlerësuar se dokumentet në fjalë janë relevante për besueshmërinë e personit që pretendohet se është mbajtur i ndaluar nga UÇK-ja.

Ai tha se shumë dëshmitarë e po ashtu edhe dëshmitari 04758, kod që i përket Nuredin Ibishit në këtë proces, kanë dhënë dëshmi.

Por, për këtë person që del të jetë Enver Sekiraqa, Smith tha se nuk është thirrur për të dhënë dëshmi.

“Sidoqoftë, trupi gjykues vëren se personi që është objekt i këtyre artikujve nuk është thirrur për të dhënë dëshmi”, tha ai.

Gjyqtari sërish përsëriti që Sekiraqa nuk ka shkuar të dëshmojë në Hagë, në rastin ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

“Fakti që Dëshmitari 04758 nuk ishte në gjendje të komentonte në mënyrë të njëmendtë për përmbajtjen e këtyre artikujve dhe se personi në fjalë nuk ka ardhur këtu të trajtojë vërtetësinë e kësaj përmbajtjeje, do të merret parasysh kur t’i jepet pesha e caktuar dhe vlera provuese këtyre materialeve. Duke mbajtur parasysh sa më sipër, trupi gjykues pranon si prova gjyqësore materialet 4D0093, 94, dhe 95, dhe udhëzon Zyrën Administrative t’ua heq numrin provizor”, tha Smith III.

Fakti që këto dokumente janë të njëjta të cilat u diskutuan në dy seancat në këtë rast, bazohet në numrat provizor që iu ka dhënë trupi gjykues para se të merrnin numër prove.

Ndryshe, më 3 maj 2024 Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar Enver Sekiraqën me 25 vite burgim për nxitje në vrasjen e policit Triumf Riza. Të akuzuarit Sekiraqa me aktvendim të veçantë iu ndërpre masa e arrestit shtëpiak.

Ndërsa, Gjykata e Apelit, Departamenti Special më 17 maj 2024 pas ankesës së Prokurorisë Speciale mbi vendimin e Themelores, e cila më 3 maj 2024 ia kishte ndërprerë që masën e arrestit shtëpiak duke e lënë të mbrohej në liri, vendosi që Sekiraqa do të kthehet në paraburgim derisa aktgjykimi të marrë formë të prerë.

Por, një ditë pas këtij vendimi, Policia ka njoftuar se nuk e ka gjetur Sekiraqën në shtëpi, për ta shoqëruar në paraburgim. Sekiraqa ende gjendet në arrati.

Vendimin e Apelit e konfirmoi edhe Supremja, e që Sekiraqa bëri ankesë nga arratia, përmes avokatit të tij, në Gjykatën Kushtetuese. Ai kishte pretenduar për shkelje të të drejtave dhe lirive të tij themelore të garantuara me Kushtetutë, në vendimin e Gjykatës Supreme të 1 korrikut 2024.

Gjykata Kushtetuese e kishte cilësuar të papranueshme ankesën e Enver Sekiraqës.

Ndryshe, Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) e kishte gjetur përgjegjës për shkelje disiplinore gjyqtarin Agim Kuçi i cili ia kishte ndërprerë masën e arrestit shtëpiak Enver Sekiraqës- e që ende gjendet në arrati, duke i shqiptuar vërejtje publike me shkrim dhe ulje të pagës për 20% për periudhën gjashtëmujore.

Në prill të vitit 2014, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës kishte ngritur aktakuzë ndaj Enver Sekiraqës për tri vepra penale, për nxitje në vrasjen e Triumf Rizës, “detyrim” dhe “dhunim”, ku për këtë të fundit, gjykata e shkallës së parë e kishte shpallur të pafajshëm.

Prokuroria pretendon se incidenti i ndodhur në “Swiss Casino” në mes të Sekiraqës dhe Rizës ishte njëri nga motivet që çuan në vrasjen e Triumf Rizës.

Incidenti në “Swiss Casino”, kishte ndodhur në dhjetorin e vitit 2006, ndërsa në të ishin të përfshirë Enver Sekiraqa dhe disa shoqërues të tij në njërën anë, dhe i ndjeri Triumf Riza e Arben Selmani në anën tjetër. Në këtë incident i plagosur rëndë kishte mbetur Arben Selmani.

Triumf Riza u vra më 30 gusht të vitit 2007, vrasje për të cilën Arben Berisha është dënuar me 35 vjet burg, ndërsa Enver Sekiraqa ishte dënuar me 37 vjet burgim.