Interpretim apo ndërhyrje? Vendimi i Gjykatës ngre dilema për ndikim politik – paralajmërohen pasoja të mëdha!

Gjykata Kushtetuese mes ligjit dhe politikës: nga interpretimi tek ndërhyrja
Publikimi i aktgjykimit të plotë të Gjykatës Kushtetuese për çështjen e konstituimit të Kuvendit ka ngritur reagime të shumta.

E në lidhje me këtë çështje për gazetën “Bota sot” ka folur doktori i Integrimeve Evropiane, Mirsad Voca.

Si fillim, ai krahasoi këtë vendim, me atë të vitit 2014, ku tha se kontrasi mes tyre është shumë i madh e që është sinjal se si një gjykatë krijojn rregulla të reja.

“Publikimi i aktgjykimit të plotë të Gjykatës Kushtetuese lidhur me zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit ka ngjallur debat të gjerë, jo vetëm mbi procedurat parlamentare, por mbi vetë rolin e Gjykatës si arbitër kushtetues. Krahasimi me aktgjykimin e vitit 2014 është i pashmangshëm, dhe aty shfaqet kontrasti i madh, se si nga një gjykatë që interpreton me kujdes tekstin kushtetues, tek një gjykatë që shkon përtej tij dhe krijon rregulla të reja”, deklaroi ai.

Krahas kësaj, Voca përmendi disa detaje më të hollësishme nga këto dy vendime të ndyshme të Kushtetueses.

Madje, vlerësoi bazuar në argumente se Gjykata jo vetëm që po interpreton, por po ndërhyn drejtpërdrejt në procesin politik.

“Nga perspektiva e administratës publike dhe funksionimit institucional, kjo dilemë është thelbësore. Në vitin 2014, Gjykata kishte mbajtur një qëndrim më të përmbajtur, duke e pranuar se Kushtetuta nuk e rregullon deri në detaj çdo procedurë dhe se Kuvendi ka hapësirë të konsiderueshme për vetërregullim. Ky qëndrim, ndonëse i kritikuar, ishte në përputhje me parimin e ndarjes së pushteteve, pra Kuvendi, si organ politik, gëzon një autonomi të caktuar për të përcaktuar rregullat e tij të brendshme.

Ndërkaq, në aktgjykimin e vitit 2025, Gjykata zgjodhi një rrugë tjetër. Ajo përdori analogji me procesin e zgjedhjes se presidentit dhe vendosi kufizime të reja që nuk gjenden në tekstin e Kushtetutës. Kjo përbën një hap të madh nga interpretimi drejt krijimit normativ, e që është një fushë ku Gjykata jo vetëm interpreton, por ndërhyn drejtpërdrejt në procesin politik”.

Në vazhdim, ai potencoi se një gjë e tillë mund të krijoj perceptime që shpërfaqin këtë fenomen si palë konflikti.

Madje, tregoi edhe efektet që mund të kenë vendimet e tilla në të ardhmen.

“Në literaturën juridike ndërkombëtare, ky fenomen njihet si judicial activism. Mirëpo, në kontekste si Kosova, me institucione të brishta dhe polarizim politik, ky lloj aktivizëm rrezikon të perceptohet jo si garant i kushtetutshmërisë, por si palë në konflikt. Dhe kur një gjykatë shndërrohet nga “arbitër neutral” në “aktor politik”, humbet kapitalin e saj më të çmuar: besueshmërinë.

Prandaj, shqetësimi i Vetëvendosjes se Gjykata ka tejkaluar mandatin e saj nuk është thjesht retorikë opozitare, por ngrit një dilemë reale kushtetuese. Nëse më 2014 Gjykata ia la Kuvendit hapësirën për të vendosur mbi procedurat e tij, më 2025 ajo ia kufizoi këtë hapësirë përmes një analogjie arbitrare. Ky precedent mund të hapë derën për ndërhyrje të ardhshme në terrene që i takojnë ekskluzivisht pushtetit politik”, shtjelloi ai.

Ndër të tjera, theksoi pasojat e mëdha politike që sjellim vendimet e Kushtetueses, të ngjashme me këtë për konstituim të Kuvendit.

“Pasojat praktike politike nuk janë të vogla. Ky aktgjykim mund të përdoret si precedent për të kontestuar çdo vendim parlamentar që nuk i përshtatet interesave të një pale, duke e kthyer Gjykatën në arenë politike dhe Kuvendin në objekt gjyqësor. Një qasje e tillë rrezikon të prodhojë bllokada institucionale dhe të minojë legjitimitetin e të dy institucioneve, atij që vendos dhe atij që kontrollon.

Në fund, pyetja mbetet e hapur: a duhet Gjykata Kushtetuese të mbetet “gardiane e Kushtetutës” apo të bëhet “rregullatore e politikës”? Vendimi i fundit e shtyn atë më afër opsionit të dytë pra me pasoja që mund të jenë afatgjata për legjitimitetin institucional në Kosovë” përmbylli Mirsad Voca.