Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka reaguar pas dështimit të radhës për zgjedhjen e kryeparlamentarit në Kuvend, duke akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje se nuk ka aspak interesim për zgjidhjen e situatës.
Ajo tha se propozimi i Donika Gërvallës nga VV nuk ishte i sinqertë, por vetëm një manovër politike për të shtyrë edhe më tej konstituimin e Kuvendit.
Ajo i bëri thirrje Prokurorisë Speciale të trajtojë seriozisht 17 kallëzimet penale që LDK ka dorëzuar.
“VV-ja nuk ka as interes për të konstituar Kuvendin, sot propozuan dy kandidate për të cilat dihet se nuk i kishin votat. E kanë pasur të qartë që nuk kanë vota as për Haxhiun e as për Gërvallën. Është fatkeqësi që sot nuk kemi institucione, janë të uzurpuara zyrat e qeverisë, janë jashtë mandatit, vendimet që po merren janë të gjitha joligjore. I bëjmë thirrje Prokurorisë Speciale të merret seriozisht me 17 kallëzimet penale që i kemi dërguar.”