Vendimi final, por i padrejtë” – Kadri Kryeziu flet për Kushtetuesen

Juristi dhe ish-nënkryetari i Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu, ka reaguar pas vendimit të fundit të Kushtetueses, duke theksuar se gjykatat nuk kanë autorizime të merren me aktivizëm politik dhe se në demokraci problemet politike duhet t’i zgjidhin vetë aktorët politikë.

Ai tha se thirrja e seancës së re konstituive për 20 gusht është dëshmi që vendimi i Gjykatës do të respektohet, duke e cilësuar këtë si tregues të përkushtimit të Kosovës ndaj sundimit të ligjit. Megjithatë, Kryeziu thekson se vendimi në fjalë është i pasaktë dhe juridikisht i brishtë.

“Gjykata Kushtetuese ka bërë një deduksion logjik për votimin e hapur, por nuk është e vërtetë që ka shpallur si jo kushtetues votimin e fshehtë. Të dyja format janë të ligjshme. Problemi është se Gjykata nuk e mori përgjegjësinë për paqartësinë e aktgjykimit të 26 qershorit, duke ia hedhur fajin Kryesuesit të Kuvendit”, tha Kryeziu.

Postimi i plotë:

Vazhdimi i seancës konstituive është thirrur për të mërkurën e 20 gushtit dhe kjo nënkupton që, ashtu siç pritej, vendimi i Gjykatës Kushtetuese do të respektohet dhe zbatohet në përpikëri.

Pra, të gjitha parashikimet dashakeqe që partia VETËVENDOSJE, që ka fituar numrin më të madh të ulëseve në Kuvend, nuk do ta respektojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese dolën të jenë thashetheme. Kosova është dhe vazhdon të jetë një demokraci vibrante dhe e përkushtuar ndaj sundimit të ligjit.

Thënë këtë, si një ish nënkryetar i Gjykatës Kushtetuese, si një nga hartuesit e Kushtetutës, si profesor universiteti dhe ekspert i të drejtës kushtetuese, më duhet t’i them edhe disa mendime të tjera për aktgjykimin e fundit. Etika profesionale nuk më lejon të hesht, pavarësisht nëse kjo i pëlqen apo nuk i pëlqen dikujt.

Ju lus për pak durim dhe vëmendje.

1. Gjykata Kushtetuese me të drejtë ka konstatuar që, në mungesë të konsensusit për të vazhduar me votim të fshehtë, procedura e zgjedhjes duhet të vazhdojë me votim të hapur. E gjitha është thjesht një deduksion logjik dhe asgjë më tepër. Pra, nuk qëndron pretendimi që Gjykata e ka përcaktuar si jo kushtetues votimin e fshehtë. Të dy format e votimit janë të ligjshme.

2. Kryesuesi nuk mund të bartë fajin për paqartësinë e Aktgjykimit të 26 Qershorit. Pra, Gjykata është dashur të jetë e sinqertë, ta pranojë gabimin që ka bërë me mungesën e një gjuhe të qartë te vendimi i 26 Qershorit. Rrjedhimisht, e tëra që do të mund të thuhej është që, në mungesë të një dispozitivi të qartë, Kryesuesi nuk e ka kuptuar mirë vendimin tonë. Kaq. Duke mos e marr mbi vete pjesën e vet të përgjegjësisë për të gjitha zhvillimet pas 26 Qershorit, dhe duke hedhur të gjitha shigjetat te Kryesuesi Dehari, Gjykata e ka shkelur parimin e paanshmërisë.

3. Kuvendi normon, Gjykata interpreton. Këtë gjë ua mësojmë studentëve në vit të parë. Pavarësisht arnimit që ka bërë, në përpjekje për ta justifikuar zgjidhjen procedurale të kufizimit deri në tre herë të nominimit të një kandidati të vetëm, ngel fakt që Gjykata e ka shkelur parimin e ndarjes së pushteteve, duke u futur në terrenin e kompetencave të Kuvendit. Edhe pse zgjidhja procedurale e bërë nga Gjykata është përcaktuar si e përkohshme, pra deri në ndryshimin e rregullores së punës së Kuvendit, prapë duhet theksuar që Gjykatat nuk kanë të drejtë të krijojnë as norma të përkohshme procedurale apo të çfarëdo lloji tjetër.

4. Gjykata Kushtetuese nuk mund të bëjë zgjidhje juridike për probleme politike. Kjo gjë nuk është detyrë e saj dhe nuk guxon të jetë. Në demokraci, problemet politike zgjidhen nga vetë akterët politik, qoftë me marrëveshje apo me hartim normash të reja kushtetuese dhe ligjore nga institucionet e autorizuara për këtë gjë. Gjykatat nuk kanë autorizime të tilla. Duke bërë zgjidhje juridike për problemet politike, Gjykata ka rrëshqitur në terrenin e aktivizmit politik. Dhe kjo është një gjë e keqe.

5. Pra, si rezyme, vendimi do të zbatohet dhe duhet të zbatohet, sepse është final dhe i paapelueshëm, por kjo nuk do të thotë që vendimi është i drejtë dhe juridikisht i qëndrueshëm. Përkundrazi, nuk është.

6. Precedenti i vendosur, me normim gjyqësor, është një precedent i keq dhe i rrezikshëm për demokracinë tonë. Një gjë e tillë nuk guxon të përsëritet më.

Uroj që deputetët të gjejnë mënyra për të tejkaluar mosmarrëveshjet dhe që Kuvendi të konstituohet sa më parë. Dhe pas formimit të Qeverisë, puna e parë në rend të ditës duhet të jenë ndryshimet kushtetuese për ta zhbërë efektin negativ të aktgjykimit të vitit 2014.