“U rrëzuan teoritë se…”/ Adem Salihaj: Ushtria po bëhet krenaria e Kosovës, Amerika dëshmon përkrahjen e palëkundur

Kosova ka pranuar autobilndat nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK).

Ministri i Mbrojtjes u shpreh se ndjehet jashtëzakonisht i gëzuar për avancimin e FSK-së, duke e cilësuar këtë furnizim si një hap të madh drejt fuqizimit të ushtrisë së Kosovës me mjete dhe teknologji të avancuar.

“Ky angazhim për transformimin në një Forcë të fuqishme dhe profesionale nuk do të ishte i mundur pa mbështetjen e partnerit tonë strategjik dhe të pazëvendësueshëm – Shteteve të Bashkuara të Amerikës, mikut tonë të përjetshëm,” tha ai.

Ish-deputeti i LDK-së, Adem Salihaj, në një prononcim për “Bota sot” ka vlerësuar furnizimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës me autoblinda si një zhvillim historik dhe të domosdoshëm për sigurinë e vendit.

“Pika më e dobët e shtetit tonë ka qenë mbrojtja. Sot, armatosja dhe forcimi i ushtrisë na mbushë krenari dhe na jep siguri. Serbia duhet të mendojë dy herë para se t’ia mësojë Kosovës,” ka thënë Salihaj.

Ai theksoi se ky hap është edhe një dëshmi e qartë e përkushtimit amerikan për Kosovën, duke i hedhur poshtë zërat për ftohje të raporteve me SHBA-në. “Amerika është shumë e përkushtuar për përkrahjen dhe mbrojtjen e Kosovës,” shtoi ai.

“Furnizimi me këto autoblinda ka shumë domethënie. Së pari, është gëzim i madh që kemi një ushtri për herë të parë në historinë tonë, e cila gradualisht po armatoset dhe po bëhet e aftë për ta mbrojtur Kosovën. Pika më e dobët e shtetit tonë ka qenë mbrojtja. Sot, armatosja dhe forcimi i ushtrisë na mbushë krenari dhe na jep siguri. Serbia na rrinte gjithmonë mbi kokë me një kërcënim të përhershëm, duke na nënçmuar dhe poshtëruar. Sot ajo duhet të mendojë pak më tepër para se t’ia mësyjë Kosovës.

Në anën tjetër, kjo është edhe shenjë e qartë e përkrahjes së Amerikës për Kosovën dhe i rrëzon teoritë se jemi prishur me aleatin tonë të madh. Të gjitha shenjat janë se Amerika është shumë e përkushtuar për përkrahjen dhe mbrojtjen e Kosovës”, është shprehur ai.