Shehu: Kosova mund të përballet me rrezik nga një “Marrëveshje e Madhe” ndërkombëtare

Publicisti Nexhmedin Shehu konsideron se mundësia e një marrëveshjeje ndërkombëtare mes Rusisë, Ukrainës, SHBA-së dhe Bashkimit Evropian po shqetëson Serbinë dhe veçanërisht presidentin se Serbisë Aleksandër Vuçiq.

Sipas Shehut, një vendim i tillë mund t’i japë Rusisë bazën për të legjitimuar aneksimin e Krimesë dhe territoreve të tjera ukrainase, duke e vendosur Kosovën në një pozicion të rrezikuar në sytë e Moskës.

Ai thekson se kjo situatë kërkon një reagim të shpejtë diplomatik nga Prishtina: përforcim të marrëdhënieve me SHBA dhe BE, njohje të reja dhe sqarim të pozicioneve me Rusinë.

“Bota po rirreshtohet – dhe kush vonohet, harrohet,” paralajmëron Shehu, duke nënvizuar se Kosova nuk ka kohë për të humbur.

Postimi i plotë:

Vuçiq paksa i nervozuar nga mundësia e një “Marrëveshjeje të Madhe” mes Rusisë, Ukrainës, ShBA-së dhe Europës!

Mbase po afrohet realizimi i asaj për të cilën Putini është thirrur qysh moti: në vendimin e GjND-së dhe në parimin sui generis të rastit të Kosovës, për të justifikuar “të drejtën” e aneksimit të Krimesë dhe territoreve të tjera ukrainase. Nëse kjo ndodh, atëherë Kosova, apriori, konsiderohet e aboluar si pavarësi në sytë e Rusisë — dhe kjo është pikërisht ajo që Vuçiqi dhe Serbia, që nga ajo kohë, janë përpjekur t’ia shmangin Kosovës: krahasimin me Krimenë. Por pa sukses.

Pikërisht për këtë, ne jemi të detyruar të ndërmarrim një fushatë të re diplomatike.

Dhe në këtë kontekst, nuk do të dëshiroja të shihja Presidenten në ceremoni dekoratash, as Ministren e Jashtme duke e përmbyllur “Kullën” e reformës me letra të bukura. Jo tani!

Të gjithë në aksion: për njohje të reja, për normalizim dhe sqarim të pozicioneve me Rusinë, për shfrytëzim të kësaj situate si një mundësi për forcimin e marrëdhënieve me ShBA-në dhe BE-në.

Nuk kemi kohë për t’u marrë me vetveten!

Bota po rirreshtohet – dhe kush vonohet, harrohet.