Gjykata Kushtetuese ende nuk ka publikuar aktgjykimin e plotë në lidhje me ngërçin e krijuar me moskonstituimin e Kuvendit të Kosovës.
Kjo po bën që të mos rifillojë as seanca e ndërprerë me një masë të përkohshme që pezullon vendimmarrjen e Kuvendit. Në një përgjigje për A2 CNN, Kushtetuesja tha se publikimi do të ndodhë sapo të përfundojnë të gjitha procedurat, transmeton Periskopi.
“Aktgjykimi i Gjykatës në rastin KO193/25 dhe KO196/25 do të publikohet pasi që të përfundojnë të gjitha procedurat e parashikuara me Ligjin për Gjykatën Kushtetuese dhe me Rregulloren e punës së Gjykatës përkitazi me publikimin e vendimeve”, thuhet në përgjigje.
Vendimet e Kushtetueses ndër të tjera përkthehen në dy gjuhët zyrtare, shqip e serbisht, si dhe në gjuhën angleze.
“Pas finalizimit të tekstit, aktgjykimi do t’u dërgohet të gjitha palëve të përfshira në këtë rast, do të publikohet në ueb-faqen e Gjykatës dhe i njëjti do të dërgohet për publikim edhe në Gazetën Zyrtare”, vijon përgjigjja.
Kushtetuesja nxori njoftimin të premten e 8 gushtit. Sipas praktikave të mëhershme, aktgjykimi i plotë mund të marr kohë deri në 7 ditë pune.