Historiani Ylber Hysa, ish diplomati i Kosovës, të mërkurën ishte kritik për qasjen politike të qeverisë në detyrë ndaj krizës në Veri të Kosovës duke shtuar gjithashtu se vëren një rrezik të zhbërjes së arritjeve demokratike në vend, nga ajo çka është demonstruar nga pushteti aktual, transmeton Periskopi.
Ish ambasadori në Maqedoni të Veriu dhe Mal të Zi në T7 i pyetur për karrierën e tij si pjesëmarrës e dëshmitar në procese politike e shooqërore që nga të nëntëdhjetat në kapacitete të ndryshme. Pashmangshëm ishte edhe aktualiteti i situatës politike në vend si rrjedhojë. Kosovarët u rreshtuan si duhet në fillimet e rezistencës e nismës për pavarësi drejt Perëndimit dhe vlerave tha Hysa. Kjo u pa si pozitive nga partnerët ndërkombëtar e që solli pavarësinë.
Me pushtetin e këtij ekzekutivi këto vlera dhe reputacioni i Kosovës po cenohet konsideron Hysa, siç po shihet nga qasja e diplomacisë ndërkombëtare.
“Unë kam frikë që Albin Kurti duke ‘çliruar’ Veriun po e humb jugun. Po e rrezikon jugu në thonjëza – në kuptimin e Kosovës…Ta fitosh Veriun dhe ta humbësh Kosovën nuk më duket një llogari e mirë politike” tha Hysa e shtoi se kjo po shihet edhe rishtas pas veprimeve në Veri “e shihni reagimin e fundit që e kini nga ambasadorët e vendeve perëndimore, pikërish këta që e kanë bërë Kosovën, rreth manipulimit për sjelljen e FSK në veri…” tha Hysa ku u ndërpre dhe u theksua pikërisht mbështetja e Gjermanisë për VV dhe ambasadorit gjerman Jorn Rohde që nuk mund të jetë i kënaqur në fund të mandatit.
“Madje, me sa di unë vetë amabsadori Rohde ka një të kaluar të majtë si student dhe me siguri erdhi këtu me një entuziazëm por fatkeqësisht më duket se i këndellur po e lë këtë vend shumë i dëshpëruar me ata që i ka parë vëllezër ideologjik” tha Hysa.
Ai shtoi tutje kriza e fundit politike rrezikon më shumë se të tejkalojë në një kushtetuese, cenon vlerat demokratike perëndimore në vend ku pasojat do të jenë të rënda.
“Dua ta them që ta rrezikosh ta çlirosh Veriun për ta humbur Kosovën nuk më duket llogari e mençur afatgjate, e dobishme për këtë popull dhe për këtë vend. Madje i tërë ky vakum që po rrezikon të kalojë nga një krizë politike në një kushtetuese i rrezikon pikërish këto të arritura të mëdha të Kosovës nga ai tranzicion i rëndë në demokraci që e përmendëm – pasi nëse për asgjë Kosova njihet në rajon për zgjedhje të mira, për rotacion pa problem të pushtetit dhe respektim të Gjykatës Kushtetuese. Këto s’janë teori, janë parametra praktik të cilat i kanë ndihmuar shumë Kosovës në perceptimin pozitiv nga partnerët ndërkombëtar dhe sidomos perëndimor që kanë investuar. Arritja e pavarësisë ka pasë kuptim me parametrat që respektojnë vlerat e Perëndimit, pikërisht këto që i përmendëm .Rrezikimi i tyre ështër problematik dhe sidomos një zbehje dhe zhbërje e këtij imazhi që e ka fituar Kosova me shumë mund” tha Hysa.
Hysa shtoi se është situatë e ndjeshme globale dhe se Kosova duhet të kujdeset që të mos jetë pengesë së paku, megjithëse nuk është i sigurt se qasja antagoniste e Kurtit dhe Vetëvendosjes është vazhdimësi e një partneriteti me Perëndimin dhe pasojat mund të jenë më keq sesa tani, siç e theksoi Kosova të injorohej nga partnerët.
“Kur flasim për Albin Kurtin, nuk flasim për një njeri, një personalitet – flasim për një ideologji, mentalitet. Ky mentalitet e ka sfiduar partneritetin ndërkombëtar – që nga thënia publike se dikush nga zyrtarët amerikan qenka naiv e deri tek kjo e fundit, keqpërdorimi i FSK, për çka besoj e hëngri një shuplakë ndërkombëtare. Ne po flasim për një mentalitet i cili është mohues i të gjithë traditës së vonë politike-historike të suksesshme të Kosovës që e bëri siç është sot. Dhe kjo po ndodhë në një moment të rëndësishëm global, me ndryshime kapitale që po ndodhi në tërë botën, me ardhjen e liderëve si Trump , me luftën sfiduese Rusi-Ukrainë që po kërcënon të ndryshojë sistemin botëror çfarë e njohim , intervenimi në Iran, Gaza. Domethënë është shumë problematike të luftosh në këtë botë me kaq prioritete të rrezikshmeqë ti të keshë vëmendjen. E mira e së mirës është që të mos harrohesh në këtë moment. E di sigurt që nuk është interesi i Kosovës që të harrohemi në këtë moment, por nuk jam i sigurt që ky është interesi i Albin Kurtit. Ndoshta ai dëshiron që të lihet rehat e të bëjë atë që ka filluar, të bëjë një inxhiniering politik dhe social brenda këtij vendi e ta bëjë republikën e tretë. Nuk jam i sigurt që interesi i një politikani si zoti Kurti është domosdoshmërisht interes edhe i Kosovës, marrë parasysh të gjithë këtë realitet të hidhur që po jetojmë. Unë brengosem se përgjegja e një Perëndimi me kaq prioritete, i lodhur nga ne – dënimi më i madh do të ishte të na harronin. Thjeshtë të mos merreshin më me ne”.