Ish-banorja e edicionit të katërt të “Big Brother VIP”, Valbona Mhilli, ka dhënë së fundmi një intervistë për “Pushime On Top” me Lei Krajën. Moderatorja e njohur ka treguar se çfarë ka ndodhur me të pas përfundimit të reality show-t, ka zbuluar për projektet e saj në ekran.
Ke qenë pak në qetësi, pak më e urtë, ça ka ndodhur?
Misterioze këto kohë, nuk e dimë ça po bën, me ça po merresh?
Në fakt jam kthyer ajo Bona që ka qenë jashtë, vazhdon të jetë sërish jashtë po ajo vajza e thjeshtë, po ajo vajza që punon, po ajo vajza që ngrihet herët dhe ka shumë punë për të bërë gjatë ditës, e mbushur me angazhime.
Tani e kam stabilizuar gjumin, ngrihem në orën 9 të mëngjesit, jam për të vazhduar ditën.
Tani shumë ndjekës pas “Big Brother” kanë pritur që ti të rishfaqesh në ekran, në ç’pikë je përsa i përket ekranit?
Ka një moment pauze, po shtatori do ketë surpriza, do jemi me projekte të reja.
Më ka marrë shumë malli për të moderuar, për të drejtuar, për të parë atë llambën e kuqe kur ndizet dhe ti nis programin tënd. Më ka marrë për të intervistuar, më ka marrë malli për atë rutinën e ditës që lidhem me personazhet për t’i ftuar në studio, për temën që do të trajtojmë. Më mungon pa diskutim, sepse pas 9-10 vitesh unë bëra një pauzë të madhe në drejtim, po besoj se ka qenë edhe e nevojshme.
Ke ndonjë model frymëzimi sa i përket ekranit? Që të pëlqen si drejton, si e bën programin?
Jam rritur me modele, e jam munduar që gjatë gjithë kohës, edhe gjatë karrierës sime televizive të jem një model i mirë për të gjithë ata që më ndjekin dhe e kanë qejf fushën e moderimit dhe gazetarisë. Nëse do përmendja sot një model që më pëlqen shumë në të gjitha aspektet e saj, një program që e ndjek dhe e përcjell me shumë dashuri, është Grida Duma. I ka të gjitha.