Çitaku: Presim që Kushtetuesja t’i hapë rrugë zgjidhjes së ngërçit të krijuar nga partia-shtet

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka thënë se kjo parti pret që Gjykata Kushtetuese të trajtojë me profesionalizëm kërkesën e bërë nga ta dhe në këtë mënyrë t’i hapët rrugë zgjidhjes së ngërçit institucional ‘’ku e ka futur vendin partia-shtet’’.

Çitaku ka deklaruar edhe se, sulmet ndaj institucioneve të pavarura janë të papranueshme, sidomos kur ato vijnë nga nivelet më të larta të shtetit.

‘‘Ne, përkundër të vërtetës së pamohueshme se ka pasur vendime të Gjykatës Kushtetuese që nuk na kanë shkuar për shtati, i kemi respektuar ato. Sepse sistemi demokratik liberal bazohet në ndarjen e pushteteve, në respektimin e procedurave dhe të rendit kushtetues’’, ka thënë ajo mes tjerash.

Postimi:

Institucionet janë shumë më të mëdha dhe më të rëndësishme se individët që përkohësisht ushtrojnë pushtet nëpërmjet tyre.

Ne mund të kemi mospajtime me emra të përveçëm, por në çdo rrethanë duhet ruajtur integriteti dhe autoriteti i institucioneve.

Nësë ka prova për aktivitete subverzive dhe antikushtetuese nga cilido zyrtarë i lartë, ato duhet trajtuar seriozisht, nëpërmjet mekanizmave kompetent.

Sulmet ndaj institucioneve të pavarura, veçanërisht kur vijnë nga nivelet më të larta të shtetit, janë të papranueshme.

Ne, përkundër të vërtetës së pamohueshme se ka pasur vendime të Gjykatës Kushtetuese që nuk na kanë shkuar për shtati, i kemi respektuar ato. Sepse sistemi demokratik liberal bazohet në ndarjen e pushteteve, në respektimin e procedurave dhe të rendit kushtetues.

Presim që Gjykata Kushtetuese të trajtojë me profesionalizëm kërkesën e PDK-së dhe t’i hapë rrugë zgjidhjes së ngërçit institucional ku e ka futur vendin partia-shtet.