Murati i kthen përgjigje Bajramit: Për rritjen e çmimeve fajtorë supermarketet, si rezultat i pangopshmërisë

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami dhe, ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, janë përfshirë në një debat rreth çështjes së rritjes së çmimeve.

Së pari Murati sot ka thënë se qarkullimi i bizneseve për gjashtë muajt e parë të këtij viti ka shënuar “rekord” prej 10.7 miliardë eurove, dhe se sipas tij, kjo paraqet një rritje prej 10.3% krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar kur kjo shifër ishte 9.7 miliardë euro.

Ndaj kësaj ka reaguar deputetja Bajrami e cila mes tjerash ka thënë se rritja e çmimit ndikon në rritjen e qarkullimit.

Pas kësaj ka reaguar ministri në detyrë, i cili ka thënë mes tjerash se rritja më e madhe ka ndodhur tek produktet bazike ushqimore, një pjesë si rezultat i rritjes globale të çmimeve.

Kurse pjesa më e madhe e rritjes ka ardhur si rezultat, siç ka thënë ai ‘‘pangopshmërisë së supermarketeve – gjë që dëshmohet edhe me rritjen e fitimit neto të tyre’’.

Postimi i plotë:

Ekonomistët e LDK-së nëse duan të ofrojnë kundëragumentin e inflacionit, do duhej të kishin njohuritë e mjaftueshme që të bëjnë përllogaritjen e shifrave të përshtatura për inflacion (adjusted for inflation).

Por nuk e bëjnë asnjëherë – ose sepse nuk dijnë ta bëjnë llogaritjen, ose dijnë ama atëherë do ta humbnin argumentin se do u duhej ta pranonin që edhe kur hiqet inflacioni del se ka rritje të theksuar – e kundërta e asaj që ata vazhdimisht proklamojnë rrejshëm.

Dhe kur jemi te rritja e çmimeve, rritja më e madhe ka ndodhur tek produktet bazike ushqimore, një pjesë si rezultat i rritjes globale të çmimeve, por pjesa më e madhe e rritjes ka ardhur si rezultat i pangopshmërisë së supermarketeve – gjë që dëshmohet edhe me rritjen e fitimit neto të tyre.