Në një moment të veçantë gjatë natës së parë të “Sunny Hill Festival 2025”, ylli ndërkombëtar Dua Lipa u ndal për t’i drejtuar një fjalim të sinqertë dhe emocional publikut në gjuhën shqipe, duke falënderuar të gjithë ata që qëndrojnë pas suksesit të saj dhe të festivalit.
Teksa qëndronte në skenën madhështore të Prishtinës, Dua tha me zë të qartë e plot emocion: “Faleminderit shumë për energjinë, dashurinë edhe suportin për mua prej fillimit deri në këtë moment, edhe për suportin e festivalit Sunny Hill që e kom shumë shumë për zemër”.
Ajo theksoi se për të është një kënaqësi e madhe që ka mundësinë të krijojë një festival të tillë bashkë me familjen e saj, në vendin e saj të origjinës: “Është shumë kënaqësi me pas mundësinë me kriju një festival me familjen teme për vendin tonë. Tash na bohen gjashtë edicione të mira me festivalin, edhe viti i dytë këtu në side të ri, edhe më duket se për çdo vit po bëhet më mirë”.
Në vazhdim, Dua ndau falënderime të veçanta për të gjithë ata që qëndrojnë pas skenës dhe punojnë pa ndalur për realizimin e këtij festivali: “Para se të vazhdoj në pjesën tjetër, dua ta falënderoj shumë familjen time dhe krejt Agjencioni ‘Republika’ për punën e palodhshme edhe organizimin e gjatë të festivalit, sepse me të vërtetë pa ata nuk kemi festival hiç. Po ashtu edhe pa juve, shokëve tanë që vini e na suportoni festivalin, nuk mundemi pa juve”.
Ajo e mbylli fjalimin me një mesazh krenarie dhe dashurie për vendin: “Kosova ka lezet edhe kështu i tregojmë krejt botës”.
Fjalimi i Duas u prit me duartrokitje të fuqishme dhe brohoritje nga publiku, duke e kthyer atë në një nga momentet më prekëse të mbrëmjes. /Telegrafi/