Arrestohet 25-vjeçari nga Kosova në Himarë, dyshohet se ia vodhi 1,400 euro një pushuesi nga vetura

A.S., 25-vjeçar nga Kosova, është arrestuar në Himarë të Shqipërisë pasi dyshohet se ka vjedhur 1,400 euro nga vetura e një pushuesi.

Siç bëhet e ditur në njoftimin e Policisë së Shqipërisë, ai dyshohet se këtë shumë e kishte vjedhur në plazhin “Porto Palermo”. Policia ka sekuestruar shumën e vjedhur dhe veturën e përdorur për kryerjen e veprës penale, shkruan Insajderi.

“Himarë- Identifikohet dhe vihet në pranga 25-vjeçari që dyshohet se vodhi 1400 euro nga automjeti i një pushuesi, në plazhin e “Porto Palermos”.Sekuestrohen shuma e vjedhur dhe automjeti i përdorur për kryerjen e vjedhjes”, thuhet në njoftim.

“Nga veprimet hetimore ka rezultuar se ky shtetas, në bashkëpunim me një shtetas tjetër, për të cilin vijon puna për kapjen, më datë 26.07.2025, ka vjedhur shumën prej 1400 euro nga automjeti i një pushuesi, i cili ishte i parkuar në plazhin e “Porto Palermos”” Shuma e vjedhur, së bashku me automjetin tip Volkswagen, i cili dyshohet se është përdorur për kryerjen e vjedhjes, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale”, vijon njoftimi.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprën penale “Vjedhja”, kryer në bashkëpunim.