Pas disa ditësh kërkimi intensiv në liqenin e Ujmanit, sot është gjetur trupi i pajetë i 33-vjeçarit mërgimtar, i cili ishte raportuar i zhdukur më herët gjatë një qëndrimi me familjarët në atë zonë.
Në deklarimin e tij për media, zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani, tha se policia nuk ka dyshim se dikush e ka shtyrë mërgimtarin në ujë.
“Po, po ka kërcy. Ne nuk kemi dyshim se dikush e ka shty. Ai ka qenë në afërsi me familjarët e vet dhe gjithë të tjerët,” tha Elshani, duke sqaruar se bazuar në të dhënat e deritanishme, ngjarja nuk po trajtohet si vdekje e dyshimtë.
Ai shtoi se detaje më të sakta rreth shkakut të vdekjes do të dihen pas autopsisë, e cila do të tregojë nëse ka ndonjë element të pazakonshëm që ka çuar deri te ndarja nga jeta e të ndjerit.
Ndërkohë, edhe drejtori i Agjencisë për Menaxhimin e Emergjencave konfirmoi përfundimin e operacionit të kërkimit dhe falënderoi të gjitha ekipet e përfshira për përkushtimin dhe bashkëpunimin.
Kërkimi për trupin kishte nisur menjëherë pas raportimit të zhdukjes, dhe përfshinte zhytës të FSK-së, Njësinë Speciale të Policisë dhe mbështetje nga KFOR-i amerikan, të cilët operuan në përputhje me koordinimin ndërinstitucional në një zonë të ndjeshme si ajo e liqenit të Ujmanit./lajmi.net/