​Kuka ngre alarmin për të ardhmen e sportit, thirrje publike edhe për deputetët e Kuvendit të Kosovës

Trajneri i xhudos, Driton Kuka, ka bërë një reagim të fuqishëm publik, duke shprehur shqetësimin e tij për situatën aktuale në sportin kosovar, me një mesazh të qartë për politikën dhe institucionet përgjegjëse.

Në një status të publikuar këtë të hënë, ai bën thirrje që deputetët të reflektojnë dhe të formojnë institucionet, të cilat janë më se të nevojshme për funksionimin normal të shtetit, përfshirë edhe fushën e sportit, transmeton kp.

Kuka, i cili është një nga figurat më të suksesshme dhe më të respektuara në sportin kosovar, thekson nevojën urgjente për ndërtimin e një Kodi buxhetor të veçantë për sportin, që të funksionojë në mënyrë të ngjashme me praktikat ndërkombëtare. Ky kod do të mundësonte që fondet nga niveli qendror të shpërndahen drejtpërdrejt në komuna për klubet sportive.

“Performanca e grupmoshave të reja ka ngecje serioze, dhe investimi në klube – veçanërisht në trajnerët e grupmoshave – është e vetmja dritë në fund të tunelit,” shkruan Kuka, duke përçuar shqetësimin se mungesa e mbështetjes sistematike mund të ketë pasoja të rënda për të ardhmen e sportit në vend.

Ai gjithashtu ndalet te rezultatet në EYOF Shkup 2025, të cilat i konsideron si një sinjal alarmi për të gjitha institucionet e sportit. “Rezultatet atje do duhej të shkundin mirë çdo pore të institucioneve sportive në vend,” thotë trajneri i xhudos, që prej vitesh ka ngritur flamurin e Kosovës në arenat më prestigjioze ndërkombëtare.

Mesazhi i Kukës vjen si një thirrje e fuqishme për ndërgjegjësim dhe veprim konkret në një moment kyç për sportin dhe institucionet në përgjithësi.